Këshillëdhënia në institucionet e Kosovës është kthyer në një skemë për punësim të miqve dhe bashkëpartiakëve, ka thënë gazetari dhe politologu prishtinas Ismet Hajdari, PhD kandidat në UEJL dhe specializant në integrimet evropiane.
Ky fenomen, sipas tij, gjeneron dy lloj problemesh. Së pari, procesi i vendimmarrjes politike lëngon nga ekspertiza profesionale e shkencore, “është arbitrar dhe, në të shumtën e rasteve, ka gjasa të mos jetë i qëlluar por i gabuar me pasoja të rënda për shtetin”. Së dyti, vendimmarrja politike kthehet në pronë ekskluzive të bartësve të pushtetit, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Të mbyllur në zyrë, ata fillojnë të mendojnë se janë të pagabueshëm, ndërsa rrjeti i këshilltarëve rreth tyre shërben vetëm për të thurur apologji për ata dhe për të përligjur madje edhe diçka të gabuar, edhe të padrejtë, që bëhet nga nomenklatura”, ka thënë Hajdari, në intervistën dhënë “Kohës Ditore”.
Por, “Këshilltarët apologjetë”, siç ka thënë Hajdari, nuk janë defekti kryesor i sistemit politik. Sipas tij, ata e përbëjnë vetëm një manifestim negativ e periferik të sistemit të degjeneruar..