Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Qeveria po diskutojnë ndryshimin e politikave për investitorët e huaj

Prishtinë | 10 Tet 2020 | 07:38 | Nga Përparim Bublaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Politikat që kanë të bëjnë me tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë, do të ndryshohen. Për këtë  Këshilli i Investitorëve Evropian në Kosovë, ka nisur diskutimet së bashku me Qeverinë që këto politika të ndryshohen, raporton Ekonomia Online.

Emrush Ujkani drejtor i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, ka thënë se këto politika kanë nevojë të ndryshohen, ndonëse sipas tij klima aktuale nuk është e pafavorshme.

“Ne jemi duke diskutuar me Qeverinë që të ketë një rishikim të politikave në tërësi të asaj që ka të bëjë me tërheqjen e investimeve të huaja dhe ka nevojë që ato të përmirësohen, nuk themi që është klima ma pafavorshme, por mendojë që ka nevojë dhe hapësirë për përmirësim më tepër. Si Këshill kemi marrë iniciativa me akterët relevantë, pra me Qeverinë si dhe të gjithë ata që janë të interesuar  që të kemi një rishqyrtim të politikave”, ka thënë Ujkani.

Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për Investime Strategjike në vitin 2016, ndërsa që niveli i lartë  i korrupsionit është vlerësuar si një faktorë i rëndësishëm që ka bërë që kompani ndërkombëtare të mos investojnë në Kosovë.

Ndërsa, sa i përket vonesave në zbatimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike, Këshilli i Investitorëve Evropian, sipas Ujkanit nuk sheh asnjë justifikim. Ai ka thënë se atë vlerësojnë se votimi i Projektligjit duhet të bëhet sa më shpejtë.

“Nga perspektiva e Këshillit të Investitorëve Evropian është absolutisht e pajustifikueshme. Mund të kemi mendime partiake të ndryshme, por qytetarët e Kosovës ekonomia ka nevojë si kurrë një herë më parë ka nevojë për një unifikim të spektrit politikë që t’i japim përgjigje situatës së krijuar”, është shprehur Ujkani.

Ai ka mirëpritur ndarjen e 60 milionë eurove nga Qeveria për sektorin privat në kuadër të Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike, edhe pse sipas tij është i vonuar.

“Qeveria në këtë drejtim ka bërë hap të mirë, por duhet të punojë edhe më tepër me mekanizmat relevant si Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e tjerë që veprojnë në Kosovë që t’i mobilizojë këto fonde përmes mundësisë që i janë ofruar përmes disa marrëveshjeve  e që janë ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Ujkani.

Në listën e përfituesve të kësaj shume prej 60 milionë eurove janë mbi 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë.

Të ngjashme