Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur edhe sot kundër mësimit të shtunave.
Përmes një reagimi në Facebook, thuhet se fëmijët kanë të drejta, të cilët ata obligohen që t’i mbrojnë.
Tutje në reagim thuhet se nxënësit gjithandej vendit të shtunave zhvillojnë aktivitete kulturore, apo edhe ndjekin kurse të ndryshme për gjuhë të huaja, kodim e zanate.
“Djem e vajza, anembanë Kosovës, të shtunave e të dielave marrin pjesë në gara të ndryshme në futboll, basketboll, vrapim, karate, xhudo, gjimnastikë, hendboll, tenis, ping-pong e sporte të tjera. Vajza e djem gjithandej vendit të shtunave zhvillojnë aktivitete kulturore (teatër, vallëzim, balet, muzikë e art), apo edhe ndjekin kurse të ndryshme për gjuhë të huaja, kodim e zanate. Djem e vajza në çdo komunë relaksohen në fundjavë me vizita familjare, ecje në natyrë, lexim sipas dëshirës, lojëra kompjuterike e plot aktivitete të tjera të moshës. Janë dy ditë shumë të rëndësishme për to e për ta, të marrin kënaqësi, të luajnë e bëjnë çka vetë duan, të garojnë e sfidohen me aktivitete jashtëshkollore. Prindërit janë gjithnjë gati për mbështetje”, thuhet tutje.