Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Elvis Hoxha e ka kritikuar sot presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që tha se për vendimin e qeverisë ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Hoxha përmes një shkrimi në Facebook thotë se Thaçi mban shumë letra e mezi lexon, e gjithashtu se nuk merret vesh se çdo të thotë.
“Tha se do ta dërgonte çështjen në Kushtetuese, por edhe bëri interpretimin dhe gjykimin: Në cilësinë e presidentit po e drejtoj në kushtetuese” ..“po është e njohur faktikisht se (të drejtat e njeriut) janë shkelur nga qeveria e Republikës së Kosovës”. Pra edhe do ta dërgojë çështjen në Gjykatë, por edhe po e jep gjykimin. Nuk besoj se këtë ia kanë thënë këshilltarët e vet ligjorë. E ka shtuar pa dashur, nga nervi i mëngjesit. Pastaj ia nisi t’i kalonte morinë e letrave format A4 që kishte në dorë. Nuk e di pse i duheshin aq shumë letra për 10 minuta deklaratë. Por kjo ishte mënyra e vetme që të thoshte se janë shkelur neni 1, 2,3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, etj., të Kushtetutës. Dhe e zgjati edhe nja tri minuta të tjera konferencën”, shton ai.