Këshilltari i Presidentit Hashim Thaci, Adil Behramaj ka reagur përmes një postimi në Facebook lidhur me vendimin e qeverisë që është marrë mbrëmë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Behramaj më tutje shkruan se kryeministrit Kurti nuk i intereson kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, por kufizimi i lëvizjes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës pamundësimi i mbledhjes së tyre për të votuar për Mocionin e Mosbesimit ndaj tij.
Postimi i plotë:
Albin Kurti tërë këtë maskarallëk e ka bërë vetëm për pikën 4 të vendimit. Atij as që i intereson kufizimi i lëvizjes së qytetarëve me vendime antikushtetuese, por kufizimi i lëvizjes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe pamundësimi i mbledhjes së tyre për të votuar për Mocionin e Mosbesimit ndaj tij.
“Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët…”, thuhet ndër të tjera në këtë pikë të vendimit.
Por, nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore dhe kushtetuese, që ua mohon dhe cenon deputetëve të Kuvendit të Kosovës të drejtën që ta ushtrojnë funksionin e tyre në çfarëdo situate.
Kosova është republikë demokratike dhe pavarësisht situatave apo krizave që mund t’i pësojë, rendi kushtetues nuk duhet të cenohet në asnjë mënyrë.
Pushtetet dhe forma e qeverisjes janë rregulluar me Kushtetutën e Kosovës, duke u bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit mes tyre. Por, Albin Kurtit nuk i intereson kjo gjë. Ai qëllimshëm dhe me vetëdije të plotë e ka nxjerr një vendim antikushtetues, thjesht si përpjekje për të fituar pak më shumë kohë dhe për ta shpëtuar veten e tij!