Kështu u plaçkiten 165 mijë euro në Veri

Prishtinë | 19 Qer 2018 | 10:18 | Nga

Policia në veri ka njoftuar se ka identifikuar një të dyshuar, ndërsa një pjesë e parave janë gjetur, si dhe një veturë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë plaçkitjes

Rreth 165 mijë euro janë plaçkitur të hënën rreth orës 11:00 në Leposaviq nga një veturë e sigurimeve “Henderson”.

Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në orën 11:00, ndërsa besohet se në aksionin e plaçkitjes së automjetit të kompanisë “Henderson” kanë marrë pjesë katër automjete. Gjithashtu Policia ka thënë se ka siguruar identitetin e të përfshirëve në plaçkitje.

Zëvendëskomandanti i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti, ka thënë se sipas informacioneve të para nga automjeti i kompanisë “Henderson” janë plaçkitur 18 milionë dinarë (165 mijë euro).

“Një pjesë e parave janë gjetur, si dhe një veturë, e cila besohet se është përdorur gjatë plaçkitjes. Vetura është gjetur në Melenicë, në jug. Në veturë është gjetur gjithashtu një armë, një sasi e konsiderueshme e parave dhe një patentë shoferi, që besohet se i takon pronarit të automjetit ose drejtuesit të automjetit. Ne dyshojmë se këtë e ka pritur një veturë tjetër e ‘Opel Zafira’ dhe se kanë shkuar rrugës për në Podujevë”, ka precizuar kapiten Hoti.

Në kërkim të autorëve të kësaj plaçkitjeje të madhe, sipas kapiten Hotit, janë vënë edhe njësitë policore të jugut dhe nga Drejtoria në Prishtinë.

“Në bashkëpunim me këto njësi, si dhe rajoni veri dhe jug, jemi në kërkim të të dyshuarve”, ka përsëritur zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti.

Ndryshe, kjo është hera e dytë që sulmohen automjetet e kompanisë për siguri “Henderson”.

Një përpjekje për të plaçkitur ka ndodhur në majin e vitit të kaluar, gjithashtu në Leposaviq, fare pranë kalimit kufitar në Jarinjë, në momentin e dorëzim-pranimit të parave nga ana e palës kosovare, të cilat nga drejtimi i Serbisë ka qenë dashur të transferohen në Kosovë.

Atëherë ishte shtënë edhe mbi Policinë.

Kompania “Henderson” është e regjistruar në Kosovës si kompani private për sigurimin e njerëzve dhe të pasurisë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme