Ulet çmimi i arkave fiskale për naftëtarët

Prishtinë | 21 Sht 2016 | 11:46 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompanitë e licencuara për fiskalizim kanë marrë vendim për zbritjen e çmimeve të sistemeve fiskale për naftëtarët. Këtë e bëri të ditur përmes një konference për media zëdhënësi i shoqatës së kompanive për arka fiskale Kestrin Kumnova.

Deri më tani naftëtarët kanë kundërshtuar fiskalizimin, siç kanë thënë ata për shkak i monopolit dhe çmimeve të larta të pajisjeve fiskale.

Kestrin Kumnova theksoi nuk ka arsye më që kompanitë që merren me shitjen e naftës ta kundërshtojnë fiskalizimin, pasi që siç tha ai, kompanitë e licencuara të fiskalizimit nëpërmes Odave Ekonomike kanë vendosur të zbresin çmimet e sistemeve fiskale për naftëtarët.

“Kjo është bërë për shkak të zgjedhjes së re teknike të kompanive të cilat i kemi bërë në mënyrë intensive në kohën e fundit. Tani të gjitha kompanitë e naftës në Kosovë pavarësisht se sa dispanser i posedojnë mund të fiskalizojnë kompanitë e tyre me një çmim prej 3 450 euro”, ka thënë ai.

“Gjatë tri viteve të fundit kemi pasur një stopim total të procesit të fiskalizimit… Këto tri vite buxhetit të shtetit i është shkaktuar humbje qindra miliona euro nga evazioni fiskal. Tani më nuk ka arsye për kompanitë e naftës që të kundërshtojnë këtë proces duke parë edhe gatishmërinë e institucioneve të vendit ne e kemi bërë këtë sakrificë për të zhbllokuar këtë proces dhe për të ndalur polemikat të cilat na kanë përcjellë tri vitet e fundit”, ka thënë Kumnova.

Ai ka theksuar se çmimi i arkave fiskale është më i liri në rajon.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se duhet ndarë politika nga ekonomia dhe prioritet të jetë agjenda ekonomike.

“Agjenda politike po dominon ndaj asaj ekonomike, duke lënë anash proceset ekonomike që janë të nevojshme. Kosova si shtet nuk e ka komoditetin tri viteve të humbjes ekonomike. Problemet e vitit 2014 janë përcjellë në vitin 2015, ndërsa në vitin 2016 janë dy terma Asociacioni dhe demarkacioni…”

“Kemi komente edhe vlerësime sa i përket Qeverisë aktuale viteve të fundit kemi thënë se është një Qeveri, e cila i ka sfidat e veta, por definitivisht karakterizohet me dy hapa: e para është disiplina financiare dhe e dyta është ndalja e tenderomanisë masive”.

“Nëse kish me qenë një dështim, i cili mund të karakterizohet dhe mund të etiketohet për Qeverinë aktuale definitivisht është dështimi i procesit të fiskalizimit”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka theksuar se ky proces ka rëndësi multidimensionale për vendin, por në veçanti në aspektin dual interno dhe ekstern, që duhet të jetë prioritet për Ministrinë e Financave.

“Në aspektin intern është vërtet një proces, i cili duhet të jetë një prioritet i Ministrisë së Financave, institucioneve relevante, sepse e kemi një barazi në konkurrueshmërinë, kemi transparencë dhe kemi buxhet më të lartë për shtetin e Kosovës. Në aspektin ekstern do të kemi një fiskalizim më të mirë të mirëfilltë, do të jetë një hap për përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe do të jetë një mundësi për motivim për investitorët e huaj, sepse aty ku ka fiskalizim ka edhe transparencë dhe sundim të rendit dhe ligjit”, ka thënë Gërxhaliu.

 

Të ngjashme