AAK-ja ka caktuar disa kandidatë për të garuar në zgjedhjet lokale të këtij viti, mes të cilëve edhe deputetin Daut Haradinajn. AKR-ja synon ta fitojë Ferizajn me këngëtarin Labinot Tahirin, ndërsa tri partitë më të mëdha në vend ende s’i kanë bërë publik emrat e kandidatëve.
Zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, kanë shtyrë partitë politike të nisin përzgjedhjen e kandidatëve potencialë për kryetarë komunash.
Përderisa shumica e partive politike në Kosovë ende nuk kanë vendosur se kush do të kandidojë në zgjedhjet lokale, AAK-ja tashmë i ka ndarë disa prej emrave të cilët pritet të hyjnë në këtë garë zgjedhore.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, do të garojë për kryetar të Komunës së Deçanit, ish-zëvendësguvernatori i BQK-së, Fatmir Gashi, po përgatitet që t’ia rikthejë partisë së Ramush Haradinajt Pejën, Ardian Gjini Gjakovën, Lulzim Kabashi për Komunën e Prizrenit dhe Agron Kuçi për Junikun.
Partia e Behgjet Pacollit (AKR-ja) tashmë është përcaktuar për kandidatin i cili do të garojë në Ferizaj, përkatësisht këngëtarin Labinot Tahirin.
Dy partitë më të mëdha në vend, PDK-ja dhe LDK-ja, ende nuk janë përcaktuar se me cilët kandidatë do të garojnë në zgjedhjet lokale të këtij viti, përderisa Lëvizja “Vetëvendosje” synon që votat e kosovarëve t’i fitojë duke garuar me figura të reja politike.
Në anën tjetër, politologët vlerësojnë se subjektet politike duhet patjetër të sjellin kuadro të reja, sado që shprehen skeptikë se një gjë e tillë mund të realizohet.