Këta janë pesë kandidatët për kryetarë të komunave që morën më së shumti vota në zgjedhjet e 17 tetorit

Prishtinë | 21 Tet 2021 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet e 17 tetorit ofruan garë tejet interesante mes kandidatëve për kryetarë të komunave.

Të dielën e kaluar prej orës 07:00 të mëngjesit kur u hapen qendrat e votimit e deri në ora 19:00 kur ato u mbyllën, qytetarët anëkënd Kosovës patën rastin të zgjedhin midis kandidatëve në komunat e tyre.

Sipas të dhënave të publikuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e së dielës nuk votuan më shumë se 42.50 përqind e qytetarëve apo 799 e 958 persona.

KQZ po ashtu ka publikuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve për kryetar të komuave.

Në vazhdim ju sjellim pesë kandidatët për kryetarë të komunave që kanë marrë më së shumti vota.

1. Arben Vitia, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës.

Vitia ka marrë 35 mijë e 443 vota, po që s’ishin të mjaftueshme për të kaluar pa balotazh. Ai në raundin e dytë do të përballet me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama.

2. Agim Aliu, Kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Ferizajt.


Aliu e përfundoi çështjen e fituesit qysh në raundin e parë duke marrë 62.53 përqind apo 30 mijë e 441 vota.


3.Në vendin e tretë është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës Përparim Rama.


Rama i mori 24 mijë e 572 vota apo 29.35 përqind dhe kundërkandidat në raundin e dytë do ta ketë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje Arben Vitia.


4.Mytaher Haskuka, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit i ka marrë gjithsejt 23 mijë e 504 vota apo 40.43 përqind.


Ai në raundin e dytë do të përballet me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës Shaqir Totaj.


5. Gazmend Muhaxheri, i cili e kreu punën pa ballotazh.


Muhaxheri, i cili kandidoi nga Lidhja Demokratike e Kosovës i fitoi gjithsejt 22 mijë e 778 vota apo 60.41 përqind duke mbetur edhe për katër vjet në krye të Pejës.


Balotazhi do të zhvillohet në 22 komuna të dielën e 14 nëntorit.

Të ngjashme