Këtë muaj nisin xhirimet e filmit “Breaking Bad”

Prishtinë | 10 Nën 2018 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Së shpejti do të nisin xhirimet e filmit “Breaking Bad”, i bazuar në hit-serialin me të njëjtin emër që konsiderohet ndër realizimet më të mira televizive deri më tani.

Autori i serialit, Vince Gilligan, është duke punuar në projektin që do të rezultojë me filmin dyorësh në kuadër të franzhizës “Breaking Bad”.

Xhirimet pritet të fillojnë gjatë këtij muaji në New Mexico, ku është vendosur edhe ngjarja origjinale e serialit.

Titulli aktual i filmit është “Greenbrier”, ndërsa ngjarja përcjell ikjen e një burri të rrëmbyer dhe përpjekjet e tij për t’u çliruar.

Ngjarja e serialit sillet rreth Walter White (Bryan Cranston), profesor i kimisë në shkollë të mesme, i cili diagnostikohet me kancer të mushkërisë.

Së bashku me ish-nxënësin e tij, Jesse Pinkman (Aaron Paul), White përfshihet në botën e krimit duke prodhuar dhe shitur metamfetamin, ndërsa të gjithë këtë e bën për të siguruar të ardhmen e familjarëve të tij para se të vdesë.

Deri në momentin e emetimit të episodit të fundit, seriali ka qenë ndër programet më të shikuara në televizionet kabllovike amerikane.

Ka fituar shumë çmime, duke përfshirë 16 çmime Emmy, tetë çmime Satelit, dy Golden Globes, dy çmime ‘Peabody’, dy çmime të Shoqatës së Kritikëve të Filmit dhe katër çmime të Shoqatës së Kritikëve Televizivë.

Në vitin 2013, “Breaking Bad” hyri në Librin e rekordeve Guinness, si seriali më i vlerësuar nga kritikët i të gjitha kohërave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme