Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se këtë vit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO.
“Këtë vit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO”, ka thënë presidenti Thaçi në një intervistë që pati dhënë për gazetën “Epoka e re” me rastin e 9-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë për këtë gazetë se ministria që drejton ka hartuar një plan jashtëzakonisht të mirë të punës për vitin 2017.
Ai ka thënë se qasja e këtij plani të punës është që duhet të ketë një politikë të jashtme ndersektoriale.
“Gjatë këtij viti do të aplikojmë për t’u anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare dhe besoj se gjatë javëve të ardhshme do të ketë edhe një lajm të mirë që Kosova do të bëhet anëtare e një organizate ndërkombëtare, për të cilën kemi punuar intensivisht”, është shprehur ministri Hoxhaj.