Prania e insekteve në veçanti mushkonjave këtë vit është shumë shqetësuese për banorët e gjithë vendit. Ndërkohë, komunat e Kosovës janë duke kryer faza të një pas njëshme të dezinsektimit. Megjithatë, buxheti jo i mjaftueshëm i ka privuar ato të bëjnë dezinsektimin edhe nëpër zonat rurale.
Ndonëse komunat e Kosovës kanë dezinsektuar hapësirat e tyre, prania e mushkonjave vazhdon të mbetet shqetësuese.
Komuna e Prishtinës ka filluar fazën e pestë të dezinfektimit, me ç’ rast parashihet të dezinsekohen sipërfaqe prej 6 mijë e dyqind hektarësh, përfshi edhe zonat rurale.
Epidemiologu, Nexhmedin Hoti, njëherësh monitorues i procesit të dezinsektimit në Komunën e Prishtinës, thotë se preparatet e dezinsektimit janë të njëjta si në vitet e kaluara.
”Këtë vit ka pasur shumë të reshura atmosferike dhe ato e favorizojnë shtimin e popullatës së mushkonjave. Katër fazat e para që janë kryer numër i konsiderueshëm i mushkonjave janë eliminuar, ka mbetur diku një 30 përqindësh i tyre të cilat duhet luftuar ende”, tha ai.
E Komuna e Fushë Kosovës ende nuk ka përfunduar procedurat e prokurimit për dezinsektimin hapësinor. Shefi Prokurimit në Komunën e Fushë Kosovës, Bedri Obërtinca, tha për Radio Kosovën se pritet që së shpejti të nxirret një vendim për nisur me dezinsektim.
”Besoj që brenda dy-tri ditëve, pas përfundimit të seancës, do të kemi një vendim dhe varësisht prej rekomandimeve ne do të veprojmë”, tha ai.
Komuna e Drenasit për shkak të kufizimeve buxhetore ka pasur mundësi të dezinsktojë vetëm hapësirat publike në qytet, por jo edhe në fshatra, thotë zëdhënësi i komunës, Bekim Dobra.
”Në pamundësi buxhetore projekti nuk ka mundur këtë vit të zgjerohet më shumë. Ndonëse, pas dezinsektimit në qendër të qytetit kërkesat kanë qenë edhe për zona të tjera, meqë mushkonja janë shumuar shumë”, tha ai.
Ndërkaq në Komunën e Malishevës nuk e kanë të paraparë dezinsektimin e mushkonjave por vetëm atë të rriqrave. Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paçarizi, thotë se ndoshta ky lloj dezinsektimi do të ndikojë edhe në eliminimin e mushkonjave.
”Nuk mund të flasim për efekte të tjera anësore që ka dezinsektimi por, besoj përderisa ka efekt kundër rriqrave, duhet të ketë edhe kundër mushkonjave”, tha ai.
Megjithatë drejtori i Klinikës Infektive në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Hamdi Ramadani, në një përgjigjeje dhënë Radio Kosovës ka thënë se ditëve të fundit nuk ka pasur ndonjë rast të lajmëruar për pickim nga mushkonjat apo ndonjë rast të infektuar me virusin NIL.