Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka takuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn, nga i cili ka marrë premtime se Qeveria e Kosovës do t’i mbështesë projektet zhvillimore të komunës së Vushtrrisë, ndërsa projekti më i madh është ai i rrugës “R220” Bukosh – Gllavotin, e gjatë 18 kilometra, që lidh 27 fshatrat e komunës së Vushtrrisë. Kostoja e projektit është 800 mijë euro.
Një projekt 3-vjeçar, ai i rrugës “R220” Bukosh – Gllavotin që lidh 27 fshatrat e komunës së Vushtrrisë, rrëzë Qyqavicës, do të nisë të realizohet këtë vit. Kjo rrugë, e cila është e vjetër mbi 60 vjet dhe është ndërtuar në kohës e ish-Jugosllavisë, është ndër projektet kryesore që do të financohet nga Ministria e Infrastrukturës e Republikës së Kosovës. Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i cili ka takuar në Vushtrri të parin e kësaj komune Xhafer Tahirin, ka siguruar se kjo ministri do t’i financojë disa projekte infrastrukturore, në të cilat do të bashkëfinancojë edhe komuna e Vushtrrisë.
Xhafer Tahiri, kryetar i Vushtrrisë, tha se me ministrin Lekaj ka biseduar për projekte të përbashkëta infrastrukturore. Ai sqaroi se do të vazhdojë ndërtimi i autostradës Prishtinë – Mitrovicë, do të realizohet projekti i zgjerimit të rrugës Nedakovc – Smrekovnicë, do të përfundojë ura në Pestovë, si dhe do të fillojë projekti i ndërtimit të rrugës rajonale për fshatrat rrëzë Qyqavicës. Tahiri ka thënë se është biseduar edhe për projektin e rrugës Vushtrri – Nedakovc – Pestovë.