Publicisti Blerim Latifi ka thënë se partitë politike në fushatën zgjedhore “do t’i nxjerrin kartat e viktimizimit”, për të siguruar vota.
Ai ka përmendur partitë kryesore se me çfarë, sipas tij do të viktimizohen gjatë kësaj fushate.
“Tash që po fillon loja elektorale partitë i nxjerrin kartat e viktimizimit me provu që të sigurojnë ndonjë solidaritet votash. LDK e ka të gatshme kartën e viktimizimit: vrasjet e pas luftës të zyrtarëve të saj”.
“VV, përveç fotografisë së Astrit Deharit, tani mund të tundë si kartë viktimizimi edhe rrëzimin e nga pushteti prej kaubojsit Grenell”.
“PDK, nga ana e saj, mund të thirret në viktimizimin politik nga Gjykata Speciale”.
“Ramushi e ka problem përdorimin e taktikave viktimizuese, sepse statura e tij nuk përputhet dot me kërkesat e këtyre taktikave. Dje e pashë që edhe Pacolli ka filluar të pozojë si viktimë politike, derisa po tregonte se kanë dashur ta arrestojnë padrejtësisht në Aeroportin e Prishtinës”.
“E tërë kjo mund të përmblidhet në thirrjen: Viktima të të gjitha partive mblidhuni! Zgjedhjet po fillojnë”, ka shkruar Latifi.