Këto janë rezultatet e taktikës së “të fortit” në veri

Prishtinë | 22 Kor 2024 | 14:23 | Nga Shenoll Muharremi

Vendimi i Bashkimit Europian rreth njohjes së pasaportave të lëshuar nga Serbia për serbët e veriut të Kosovës po demonstron që strategjia e drejtë/legale e Republikës së Kosovës rreth veriut dhe në dialog të lehtësuar nga Brukseli nuk po jep frytet e duhura.

Ky vendim nuk është marrë nga një rreth i ngushtë, apo grupi i dialogut’, por nga shumica e ministrave të jashtëm të BE-së. Ky vendim po ekspozon faktin që Kosova vetëm me ‘forcë’ apo shtrirje të sundimit të ligjit me polici nuk po mjafton të ndryshoj gjendjen në thelb.

Strategjisë po i mungon edhe komunikimi me lokalët dhe sidomos joshja ekonomike. Integrimi i serbëve lokal të veriut, edhe pse të ndikuar nga Beogradi, nuk po ndodhë në institucionet, jetën dhe ekonominë e Kosovës, përkundrazi. Prishtina po integrohet në veri, por veriu po mbetet jashtë Prishtinës dhe Kosovës.

Ky vendim i BE-së ndoshta është edhe konfirmimi më i fortë deri më tani rreth pozitës së palëkundur të Bashkimit Europian rreth Asociacionit të Komunave Serbe të Kosovës. Ndoshta, në perspektivë, ky mund të jetë edhe fillimi i zbatimit të detyruar (forced implementation) i asociacionit të shumë kërkuar.

Ndoshta Institucionet dhe Stratrgjia e Republikës së Kosovës ende mund të arrijë suksese nëse i shtohen me urgjencë edhe shyllat të investimeve ekonomike, komunikimit intenziv dhe lidhje infrastrukturore me/në veri të vendit me qëllim të aplikimit të joshjes së komunitetit me kushte të mira lokale të punë, jetës dhe mundësive.

Taktika e ‘të fortit’ po jep disa rezultate të dukshme por që nuk duket të jenë kualitative dhe të qëndrueshme, së paku jo deri më tani. Andaj, duhet më shumë intervenime kualitative që e ndryshojnë kualitetin e jetës dhe krijojnë mundësi dhe shpresa për komunitetin. Por kjo nuk është dicka që arrihet shpejt dhe pa shumë mund e sakrifica.

Të ngjashme