Lidhur me arrestimin nga Policia e Kosovës ditë më parë të 11 personave shtetas rus dhe serb, të cilët po tentonin të hynin ilegalisht në Kosovë, të dyshuar si elemente destabilizuese të situatës, KFOR, nuk e ka pohuar po as mohuar një gjë të tillë, duke thënë se operacionin në fjalë e kreu në tersi Policia e Kosovës dhe se KFOR-i nuk ishte i përfshirë në arrestimin e tyre.
“Sa i përket pyetjeve tuaja, duam t’ju informojmë se përkundër faktit që përmendet në disa raportime të mediave, KFOR-i nuk ishte i përfshirë në këtë arrestim. Kjo ishte një çështje e brendshme e Kosovës dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it, dhënë për Indeksonline.
I pyetur për aktivitetet e shtuara të qytetarëve nga Rusia të dyshuar si agjent sekret në territorin e Kosovës, KFOR-i në përgjigjen e tij ka thënë se Kosova është një vend i hapur dhe se kjo forcë po punon ngushtë me të gjitha vendet e rajonit për të rritur stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor dhe se një reflektim të tillë e pret edhe nga Rusia dhe jo një destabilizim të mundshëm nga ajo.
“Ne nuk komentojmë mbi çështjet e inteligjencës sidoqoftë sa i përket ndikimit të vendeve të tjera në Ballkan, ne i respektojmë plotësisht të drejtat e kombeve për të zgjedhur aranzhimet e tyre politike dhe të sigurisë. Ne punojmë ngushtë me të gjitha vendet e rajonit për të rritur stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor. Ne presim që vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në përgjigjen e KFOR.