Detashmenti i Përbashkët Regjinal – Veri (DPR-V) i KFOR-it, ka dhuruar një donacion të këpucëve profesionale, helmetave dhe dorezave për stacionin e zjarrfikësve të Zubin Potokut.
Siç njofton KFOR-i, dorëzim-pranimi i pajisjeve është bërë në prani të zëvendëskryetarit të Zubin Potokut, Latinka Utvic, rreshter majorit të Komandës së KFOR-it, Maurizio Sarasino, komandantit të DPR-V, kolonelit GS Mratin Schuler, personelit të ekipit ndërlidhës (LMT) dhe eprorëve të KFOR-it të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak.
Me këtë projekt të BCU-së, DPR-V-ja dëshiron që të ndihmojë zjarrfikësit që të rrisin aftësitë e tyre.
“Mbështetja e autoriteteve dhe institucioneve vendore në kryerjen e misionit të tyre, është faktor kyç për ndërtimin e marrëdhënieve të forta në mes të KFOR-it dhe komunitetit vendor.
Aktiviteti i sotëm është pjesë e një plani më të gjerë të mbështetjes që programi i bashkëpunimit civilo-ushtarak i KFOR-it synon për mbështetje të një Kosovë paqësore, stabile dhe shumë-etnike”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.