Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës së KfW-së për Kosovë Rene Escheman, kanë nënshkruar dy Marrëveshjeve grant “Rritja e Kapitalit Garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore” dhe “Fondi i Sfidave të Kosovës – Arsimi Profesional dhe Trajnimi”, raporton Ekonomia Online.
Marrëveshja prej 6.5 milionë euro ka për qëllim mbështetjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) duke rritur kapitalin e saj garantues, i cili përmes “Agro Dritares” i ofron agrobizneseve (ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme si dhe fermerëve) qasje në financim për të mbështetur aktivitetet e tyre përmes institucioneve financiare në Kosovë. Përfitues i kësaj marrëveshjeje është FKGK, me të cilin KfW-ja do të nënshkruajë marrëveshje të veçantë për të finalizuar detajet e programit.
Marrëveshja tjetër e nënshkruar do të themelojë “Fondin e Sfidave të Kosovës – Arsimi Profesional dhe Trajnimi” me kontribut prej 7 milionë eurove që ka për qëllim të adresojë dallimet mes aftësive të fituara nga arsimi profesional dhe trajnimi dhe nevojave të tregut të punës në Kosovë, dhe kështu të rrisë numrin e punëtorëve të aftësuar për kompanitë gjegjëse.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ministri në detyrë Bislimi theksoi edhe një herë se Gjermania është njëri ndër partnerët kryesorë drejt arritjes së aspiratave të Kosovës për zhvillim ekonomik dhe integrim në Bashkimin Evropian. Duke shtuar tutje se bashkëpunimi në përmirësim të arsimit profesional dhe qasjes në financa, është një hap i duhur në drejtim të zhvillimit dhe që ndikon direkt në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës.
“Siç e dini bankat hezitojnë që të mbështesin sektorin e bujqësisë, por në grantet shtohet edhe ky fond prej 11 milionë eurosh për të mbështetur me garancione sektorin e bujqësisë. Mendoj që në këtë situatë ku po përballemi me pandemi çdo mbështetje është e mirëseardhur. Pala gjermane asnjëherë nuk ka hezituar me qenë partner shumë serioz”.
“Pra po them në kohë të pandemisë kur ka rënie të importit është me rëndësi që të shtohet gatishmëria e fermerëve kosovarë për me rrit prodhimin dhe ne shpresojmë që përmes kësaj dritare të ndodh. Ndërkaq nga Fondi i Sfidave të Kosovës – Arsimi Profesional dhe Trajnimi, dua të cek se nga ky grant nuk përfitojnë vetëm sektori publik, por edhe sektori privat”, tha ai.
Ambasadori Heldt e përgëzoi gatishmërinë e Qeverisë në detyrë të Kosovës për punën që po bëhet në këtë kohë të Pandemisë Korona, si dhe rëndësinë e nënshkrimit të dy marrëveshjeve për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Më tutje Ambasadori Heldt shtoi se me “këto dy instrumente të suksesshme dhe shumë premtuese të financimit, ekonomia dhe qytetarët e Kosovës do të përfitojnë shumë sa i përket sigurimit të investimeve dhe mbajtjen apo krijimin e vendeve të punës, qoftë edhe në kohëra të vështira me të cilat po ballafaqohemi këto ditë”.
“Duke pasur parasysh gjendjen e jashtëzakonshme kemi nënshkruar dy marrëveshje. Në njërën anë marrëveshja ka të bëjë me dyfishimin e përkrahjes së Fondit Kosovar ndërsa marrëveshja e dytë i dedikohet themelimit të fondit të sfidave të Kosovës që ka për qëllim ngritjen dhe aftësimit profesional. Këto dy instrumente të suksesshme dhe shumë premtuese të financimit, ekonomia dhe qytetarët e Kosovës do të përfitojnë shumë sa i përket sigurimit të investimeve dhe mbajtjen apo krijimin e vendeve të punës, qoftë edhe në kohëra të vështira me të cilat po ballafaqohemi këto ditë”, tha ai.