Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka reaguar pas deklaratave të ndërkombëtarëve për votimin e Kryetarëve të Supremes dhe atij të Apelit.
Deklarata e plotë e KGjK-së:
Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (“KGJK”), janë informuar lidhur me Deklaratat e lëshuara nga partnerët ndërkombëtar të Këshillit që kanë të bëjnë me procesin e përzgjedhjes dhe të emërimit të Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës së Apelit.
KGJK ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet për zbatimin e Aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, nr. KI 34/17 dhe nr. KI 55/17, lidhur me këto emërime menjëherë pas publikimit. Në pajtim me pikën VI të Aktgjykimeve, me datën 18 gusht 2017 KGJK ka informuar Gjykatën Kushtetuese për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimeve përkatëse.
KGJK, sipas komunikatës për media, do të mblidhet gjatë javës së parë të muajit shtator për shqyrtimin e hollësishëm të deklaratave.
KGJK është e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar dhe do të ndërmarr të gjitha masat e duhura kushtetuese dhe ligjore për forcimin e sundim të ligjit në Republikën e Kosovës.