Khabibi dëshiron të përballet me Mayweatherin

Prishtinë | 14 Tet 2018 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Ylli i UFC-së, Khabib Nurmagomedov, dëshiron të përballet me dikë më të fortë se Conor McGregor, duke ftuar kështu në një meç boksierin Floyd Mayweather.

Rusi 30-vjeçari fitoi ndaj McGregorit më 6 tetor për të zgjatur serinë e meçeve pa humbje në 27:0.

Në vitin 2017, McGregor kishte humbur në një meç boksi nga amerikani Mayweather, që u pensionua pa asnjë humbje në 50 meçe.

“Hajde Floyd, duhet të luftojmë tani”, ka thënë Nurmagomedov, në një video në Instagram, të filmuar me Leonard Ellerben, shefin ekzekutiv të “Mayweather Promotions”. “50-0 v 27-0, dy që s’kanë humbur kurrë, pse jo? Sepse në xhungël është vetëm një mbret”.

Nurmagomedov e kishte mposhtur McGregorin duke e detyruar të dorëzohej, teksa Mayweather e kishte mposhtur irlandezin në raundin e dhjetë të një prej meçeve më të shtrenjta në histori të boksit, raporton BBC.

Mayweather, që s’luftoi më prej përballjes me McGregorin, ka deklaruar se do të kthehej nga pensionimi për t’u përballur me Manny Pacquaion në një rimeç gjatë këtij viti, transmeton Koha.net.

Nurmagomedov dhe McGregori janë suspenduar përkohësisht nga UFC-ja për shkak të skenave që u shfaqën pas meçit në Las Vegas.

Të ngjashme