Udhëheqësi suprem, Ayatollah Ali Khamenei, u ka bërë thirrje forcave të armatosura të Iranit që të rrisin fuqinë e tyre për të “trembur” armikun pasi që vendi po përballet me tension të shtuar nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë muajit maj të këtij viti u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e Iranit me fuqitë botërore dhe ka urdhëruar rivendosjen e sanksioneve amerikane që ishin pezulluar pas marrëveshjes.
“Rritni fuqinë tuaj sa më shumë që mundeni sepse fuqia juaj frikëson armikun dhe detyron atë të tërhiqet” ka thënë Khamenei gjatë një ceremonie diplomimi të forcave të armatosura të Iranit, shkruan Euronews.
“Irani ka rezistuar ndaj Amerikës dhe ka dëshmuar se kur një komb nuk frikësohet nga kërcënimet e agresorëve dhe mbështetet në aftësitë e veta, mund t’i detyrojë superfuqitë të tërhiqen dhe të mposhten” ka shtuar ai.