Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj akuzave të qeveritarëve ndaj Gjykatës Supreme.
Ajo ka treguar në detaje se çka ka interpretuar Supremja kur ka konstatuar se deputetët nuk mund të kenë poste ekzekutive.
Në profilin e saj në “Facebook”, deputetja e LDK-së ka shkruar se të dështosh kaq brutalisht në kuptimin e rolit të parimeve kushtetuese është injorancë e llojit të vet.Po shoh që këshilltarë politikë të Kryeministrit dhe Ministrisë së Drejtësisë po e akuzojnë Gjykatën Supreme se, duke u kujdesur për mbrojtjen e Kushtetutës, paska shkelur disi Kushtetutën. Eh, çka të them tash unë? Ose – a ia vlen të shkruaj për këtë “fenomen” interpretues? Së pari, Gjykatat e rregullta janë të detyruara të respektojnë dhe zbatojnë Kushtetutën, përfshirë parimet e saj (sikurse në rastin konkret, ndarja e pushteteve)”, ka shkruar ajo, duke treguar detaje tjera.Në rastet kur Gjykatat e rregullta vlerësojnë se kemi dyshime mbi kushtetutshmërine e ligjeve apo akteve nënligjore, ekziston mundësia e kontrollit incidental, ku, kur një gjykatë e rregullt vlerëson se ka dyshime që një ligj është në kundërshtim me Kushtetutën, ajo pezullon çështjen dhe kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me ligjin. Ndërkaq, në lidhje me veprimet e palëve, gjykata e rregullt ka të drejtë absolute të japë mendim, sepse ligji dhe gjykatat i nënshtrohen Kushtetutës. Asnjë gjykatë e rregullt nuk lejohet të mos e respektojë Kushtetutën dhe madje ka rol PRIMARË që kjo të mos ndodh. Së dyti, vetë paragrafi i cituar nga këta “interpretues” sqaron se Gjykata Kushtetuese interpreton kushtetutshmërinë e akteve nënligjore dhe ligjeve, dhe jo përputhshmërinë e veprimeve të palëve parashtruese me Kushtetutën. Kjo e dyta është SAKTË rol i gjykatave të rregullta”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, Supremja ka bërë këtë analizë në dy shkallë. “Së pari, ka marrë për bazë parimin kushtetues të pamundësisë së ushtrimit të dy funksioneve (ekzekutiv dhelegjislativ) paralelisht; dhe së dyti, ka interpretuar LIGJIN për Qeverinë, i cili ndalon në mënyrë të qartë vazhdimin e punës në ekzekutiv pas certifikimit si deputet. Pra ka bërë dhe interpretim LIGJOR, jo vetëm Kushtetues. Apo këta “interpretues” duan të thonë se ligji që e kanë miratuar VET qenka jokushtetues? Sipas kësaj logjike të këtyre “interpretuesve”, sërish të çakorduar, del që as veprimet jokushtetuese të shtetit apo mekanizmave shtetërorë nuk mund të adresohen në gjykatat e e rregullta. Për shembull, e drejta në pronë si e drejtë kushtetuese, sipas kësaj logjike, duhet kërkuar vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Ose, e drejta për jetë nuk duhet të shkojë fare në procedurë penale, sepse qenka parim kushtetues. Të dështosh kaq brutalisht në kuptimin e rolit të parimeve kushtetuese dhe domosdoshmërisë që ligjet të ofrojnë detajim shtesë për mbrojtjen e atyre parimeve, përmes mekanizmave të rregullt gjyqësor, është injorancë e llojit të vet. Mosni, bre!”, ka vlerësuar ajo.