Kica-Xhelili: Të krijohet linjë e veçantë telefonike për raportimin e dhunimeve dhe sulmeve seksuale

Prishtinë | 10 Nën 2022 | 12:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka kërkuar në Kuvend krijimin e një linje të veçantë telefonike për raportimin e dhunimeve dhe sulmeve seksuale nga viktimat.

“Kërkojmë të krijohet linjë e veçantë telefonike për raportimin e dhunimeve dhe sulmeve seksuale, të financohen dhomat për dëshmi në këto raste”, tha deputetja.

Kica-Xhelili, mes tjerash, kërkoi që dënimet të ashpërsohen për dhunesit.

“KGJK ka nevojë për staf mbështetës, të bashkëpunëtoreve profesional dhe kjo normë nuk është përmbushur. Sot viktima kur të shkojë të raportojë dhe të merret në pyetje nuk ka psikolog në të shumtën e rasteve. Po ashtu duhet të hulumtohet se pse nuk po zbatohet vendimi i dënimit për këto vepra teksa shqiptohen dënime prej 8 muaj e 8 ditë për dhunues”.

“Nuk ka javë e ditë që kalon pa ndonjë dhunim e mos të flasim për dënimet e dhëna. Raportimet e fundit tregojnë se në Kosovë gjithmonë ka pasur numër të lartë të veprave që nuk janë raportuar. Por këto vepra nuk e cenojnë vetëm integritetin seksual, por na cenojnë shpirtërisht, psiqikisht e na cenojnë të gjithëve”.

“Ne po i rrisim fëmijët tanë në një ambient të pasigurt, gratë dhe vajzat tona sot mendojnë nëse duhet ta mbajnë çelësin e kerrit a banesës në dorë se mos po ballafaqohen me një monstrum të tillë, e pastaj nëse ndonjë rast i tillë edhe ndodh pyetja më e shpeshtë do të t’ju bëhet atyre është ‘a e ka lyp’ – kjo nuk lypet dhe kjo mendësi është e poshtër dhe e pafalshme”, tha Kica-Xhelili.

Tutje, deputetja tha se LDK-ja ka vendosur që çdo element të “Rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual” ta analizojnë.

“Jemi takuar me viktima e avokatë të tyre, prokurorë e gjykatës prandaj kërkojmë që institucionet të reagojnë më mënyrë proaktive lidhur me veprat që cenojnë integritetin seksual”, tha deputetja.

Por, rezoluta e propozuar nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, kundër sulmeve ndaj integritetit seksual nuk ka kaluar, pasi shumica e deputetëve të Vetëvendosjes abstenuan.

Kica-Xhelili, e cila ka qenë dhe vetë pjesë e GP të Vetëvendosjes, ka bërë të ditur se projekt-rezoluta mori 26 vota, 1 deputet ka votuar kundër, ndërkohë 34 kanë abstenuar.

Në një postim në Facebook, ajo theksoi se gjysma e deputetëve të VV-së nuk kishin guxim të mbanin qëndrim për këtë çështje të rëndësishme.

“Rezoluta kundër veprave penale ndaj integritetit seksual dhe ngacmimit seksual NUK KALOI! Derisa partitë opozitare votuan PËR, LVV-ja me gjysmën e deputetëve të tyre (me përjashtim të dy deputetëve që votuan PËR dhe të cilët i falënderoj për racionalitetin) abstenoi. Gjysma e deputetëve të VV-së nuk guxoi as të ketë qëndrim për këtë çështje. Gjysma tjetër, me gjasë, doli nga salla, në pamundësi që të votojë”, ka deklaruar Kica-Xhelili.

“Kjo Rezolutë nuk është e LDK-së, PDK-së, AAK-së, VV-së dhe as e grupit Multietnik, pavarësisht që u propozua nga ne. Kjo Rezolutë është për të trajtuar në mënyrë gjithpërfshirëse një temë që është bërë një URGJENCË NACIONALE. Dhe jo, kjo nuk mund të bëhet me propozime të “klikueshme” e që duken mirë në letër dhe janë të pazbatueshme e, aq më pak, kur janë në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“E kam shumë të rëndësishme ta sqaroj sërish që kësaj Rezolute i kanë paraprirë shumë takime me viktima të këtyre veprave penale, avokatë, policë, gjyqtarë, prokurorë, me shoqërinë civile dhe kemi organizuar edhe një tryezë për këtë temë.Jemi përpjekur me gjithë qenien që propozimet tona të mos jenë sa për sy e faqe, por të jenë propozime të zbatueshme e të realizueshme për institucionet tona, për njerëzit tanë, për mbrojtjen e dinjitetit të viktimave”, ka theksuar ajo.

Të ngjashme