Këshilli i Investitorëve Evropianë (KIE) mirëpret miratimin në parim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës rreth projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-029 për tatimin në të ardhurat e korporatave (TAK).
Mjedisi i të bërit biznes në Kosovë po përmirësohet edhe më tutje duke krijuar barazi për të gjithë sektorët e ekonomisë përmes ndryshim-plotësimit të këtij ligji.
KIE ka përcjell me vëmendje ndryshimet në legjislacionin tatimorë në fushën e institucioneve financiare, specifikisht të sektorit bankarë dhe të sigurimeve. Në mënyrë që ky ligj të rregullojë në mënyrën më të mirë, dhe të jetë në harmoni me legjislacionin evropian, KIE ka organizuar disa takime pune me grupin punues për hartimin e ligjit si dhe institucionet relevante dhe rregullatorin e sektorit Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Duke qenë se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është organi rregullator i sektorit financiar, ne e vlerësojmë lartë përkrahjen e tyre gjatë të gjithë procesit si dhe urojmë që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë edhe në të ardhmen për të kontribuar drejt një klime sa më të mirë të biznesit në Republikën e Kosovës.
Projektligji për tatimin në të ardhura të korporatave ndër të tjera, për herën e parë rregullon edhe tatimin e kompanive të sigurimit duke mundësuar që edhe ky sektor të jetë i barabartë me sektorët tjerë të ekonomisë. Si rezultat pritet që ky sektor të fillojë zhvillimin e mëtutjeshëm duke kontribuar edhe në rritjen ekonomike të vendit.