Sipas referencave më të fundit të presidentit Xi Jinping për teknologjinë Blockchain, guvernatorit të Bankës Pupullore dhe disa analistëve, së shpejti, Kina do të nxjerrë kriptovalutën e parë.
Në fakt, ky është një projekt për të cilin Pekini ka nisur të punojë që prej vitit 2014, e që do të largonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ‘froni’ i supremacisë botërore.
Në një kohë që Mark Zuckerberg po përpiqet të ‘përmirësojë’ fatin e kriptovalutës Libra, duke u përpjekur të vendosë në duart e Donald Trump timonin e dominimit kinez, është pikërisht Kina që mesa duket, do të jetë gati të nxjerrë kriptovalutën e parë shtetërore në botë.
Përgjatë këtyre ditëve, Jinping ka folur për disa aspekte të zhvillimit të teknologjisë Blockchain. Fjalët e tij, janë ndjekur nga komentet e Li Wei, përgjegjës i sektorit të teknologjisë në Bankën Popullore, që ka ftuar bankat komerciale të rrisin përdorimin e teknologjisë Blockchain.
Disa analistë, si Li Chen i Universitetit të Hong Kongut, janë të bindur se Kina tani është e gatshme për lëshimin e një kriptovalute shtetërore.
“Unë mendoj se ka një probabilitet të lartë që ajo do të jetë ndër vendet e para që lëshon një monedhë dixhitale”, tha studiuesi Chen për revistën US Fortune.
Ndërkohë, shefi i Facebookut duket se është i gatshëm të luajë kartat e tij për të rindërtuar kriptovalutën Libra. Pasi disa partnerëve të nivelit të lartë si Mastercard, eBay apo Visa u tërhoqën nga projekti, Zuckerberg foli për kriptovalutën e tij përpara Kongresit amerikan. Pikërisht gjatë asaj fjale, ai i bëri parapritë ‘makthit’ kinez.
“Nëse Shtetet Bashkuara të Amerikës nuk drejtojnë teknologji të reja, siç është mundësia e dërgimit të parave përmes sistemeve të mesazheve, dikush do ta bëjë atë për ne dhe ne do të humbasim udhëheqjen e sektorit”, tha ai, duke e lënë të qartë se ky ‘dikush’ mund të jetë vetëm Kina.
Objektivi i vërtetë i fjalëve të Zuckerberg është padyshim Trump, i cili nuk e ka mbajtur kurrë të fshehtë se dëshiron të ‘luftojë’ Kinën në disa frone. Pa diskutim, një fron i fituar në zhvillimin e monedhës dixhitale, nuk do ta bënte atë të lumtur.