Kina e refuzon planin e OBSh-së për studimin e prejardhjes së Covid-19

Prishtinë | 22 Kor 2021 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Kina të enjten e refuzoi planin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për fazën e dytë të një hulumtimi të prejardhjes së koronavirusit, ku përfshihet hipoteza se virusi mund të ketë dalë nga një laborator kinez.

OBSh-ja këtë muaj propozoi një fazë të dytë të studimeve për prejardhjen e koronavirusit në Kinë, përfshirë auditimin e laboratorëve dhe tregjeve në qytetin Wuhan, duke bërë thirrje për transparencë nga autoritetet, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Ne nuk do të pranojmë një plan të tillë për zbulimin e prejardhjes, sepse ai, në disa aspekte, e shpërfill logjikën dhe e sfidon shkencën”, tha Zeng Yixin, zëvendësdrejtor i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë.

Ai shtoi se ishte i befasuar, kur e lexoi për herë të parë planin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sepse në të ndodhet hipoteza se një shkelje kineze e protokolleve laboratorike e ka shkaktuar përhapjen e virusit gjatë punës hulumtuese.

Zeng e përsëriti pozicionin e Kinës se disa të dhëna nuk mund të ndahen plotësisht për shkak të shqetësimeve rreth privatësisë.

“Ne shpresojmë që OBSh-ja do t’i rishikojë seriozisht sugjerimet e bëra nga ekspertët kinezë dhe ta trajtojë vërtet hetimin e prejardhjes së Covid-19 si çështje shkencore e të lirohet nga ndërhyrja politike”, tha zyrtari kinez.

Të ngjashme