Kina duket se ka larguar librin e shenjtë të fesë katolike, Biblën, nga shitja përmes dyqaneve që funksionojnë përmes internetit, shkruajnë mediat amerikane.
Kina gjithnjë ka kontrolluar shitjen e Biblës dhe ka lejuar blerjen e saj vetëm nëpër kisha të kontrolluara nga shteti, por në vitet e fundit ky libër ka qenë në shitje online.
Por, duket se edhe kjo ‘vrimë’ është mbyllur. Kërkimi për Biblën nëpër platformat më të mëdha të shitjes në Kinë nuk rezulton më si më parë, pasi libri duket qartë se është larguar nga shitja.
JD.com, Amazon.cn dhe Taobao janë dyqanet më të mëdha online që tashmë nuk ofrojnë më Biblën si produkt të saj.
Njohësit e çështjeve politike në Kinë thonë për mediat amerikane se ky veprim është shembull konkret se si Pekini ndërhyn në liritë fetare përmes cenzurës në internet.
Praktikimi i fesë në Kinë është shumë i kontrolluar nga shteti me sistem komunist. Pesë fetë kryesore – budizmi, islami, katolicizmi, protestanizmi dhe taoizmi – kontrollohen për së afërmi nga organe të caktuara të shtetit kinez.