Kina raporton pesë raste të reja të Coronavirusit

Prishtinë | 17 Maj 2020 | 09:52 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë i ka raportuar pesë raste të reja me Covid-19 të dielën, tri më pak se një ditë më parë.

Dy nga pesë rastet e reja ishin të personave të ardhur nga shtetet e tjera, ndërsa tri të tjera u përhapen përmes kontaktit lokal në qytetin Jilin, që shtrihet në pjesën verilindore të vendit.

Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kinë shkoi në 82,947 persona, ndërsa shifra e viktimave mbeti në 4,634, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Autoritetet kineze kanë marrë masa të rrepta në distriktin ku u shënuan tri raste. Vetëm një person në familje mund të dalë për të blerë ushqim, raportojnë mediet lokale.

Banorët janë këshilluar që të mos dalin nga qyteti dhe të gjithë ata që kanë nevojë të dalin duhet të ofrojnë një dokument që dëshmon se nuk janë të infektuar me coronavirus. Testi nuk duhet të jetë më i vjetër se dy ditë.

Jilin është qyteti i dytë më i madh i provincës me të njëjtin emër dhe shtrihet në kufi me Rusinë dhe Korenë Veriore. Të mërkurën e kaluar, atje u pezulluan përkohësisht udhëtimet me tren.

Të ngjashme