“AG600 Kunlong”, aeroplani më i madh amfib i botës nisi fluturimin e tij të parë.
I prodhuar në Kinë me përmasat e një “Boeing 747”, por i pajisur me 4 motorë turbo, aeroplani që mund të mbajë 50 persona në bord e të qëndrojë në ajër për 12 orë, u ngrit nga Aeroporti i Zhuhait, në provincën jugore Guangdong.
Mjeti i veçantë fluturues mund të përdoret në operacione zjarrfikëse e ato të shpëtimit në det, por ai ka dhe kapacitet ushtarak, e kështu mund të hyjë në lojë edhe në rast konflikti në rajonin e shumëdiskutuar të Kinës Jugore, raporton Tch.
Agjencia shtetërore kineze “Xinhua” e përshkroi si “shpirtin e mbrojtjes së detit, ishujve dhe barrierave koralore të vendit”.
Aeroplani amfib mund të ngrihet në fluturim si nga toka, ashtu edhe nga deti. U deshën plot 8 vite që të finalizohej prodhimi i “AG600 Kunlong”. Ai mund të ngrejë pesha deri në 53 tonë dhe ka një shtrirje krahësh prej 38.8 metrash.
Deri tani, Kina ka marrë 17 porosi për aeroplanë të këtij lloji. Politika e Pekinit në Detin e Kinës Jugore kundërshtohet ashpër nga një sërë vendesh fqinje dhe një gjykatë e mbështetur nga OKB-ja i hodhi poshtë vitin e kaluar pretendimet kineze për këtë rajon.