Një shpërthim i regjistruar në një park industrial, në provincën Sichuan të Kinës, ka shkaktuar vdekjen e 19 personave dhe plagosjen e 12 të tjerëve, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Xinhua”.
Në një deklaratë të cituar nga “Reuters”, autoritetet e qarkut Jiang’an thonë se shpërthimi ka ndodhur në një impiant kimin të drejtuar nga “Yibin Hengda Technology”.
Pamjet në rrjetet sociale kineze treguan një shtëllungë të madhe zjarri dhe retë e dendura të tymit që ngriheshin mbi impiant. Gjithsesi, deri më tani nuk dihet shkaku i shpërthimit.
Sipas “Xinhua”, zjarri që nisi pasditen e së enjtes është shuar mëngjesin e së premtes. Të plagosurit prej tij janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa autoritetet kanë nisur tashmë hetimin.
“Yibin Hengda” prodhon produkte kimike për industrinë ushqimore dhe atë farmaceutike. Sipas raportimeve të medieve lokale, ndërtesat trikatëshe të fabrikës u shkrumbuan, ndërsa edhe godinat e afërta kanë pësuar dëme në xhamat e tyre.
Aksidenti vjen 3 vite nga një fatkeqësi e rëndë në impiantet kimike në Kinë. Në vitin 2015, 173 persona humbën jetën si pasojë e një shpërthimi në një maganizë lëndësh kimike në qytetin portual në verilindje të Kinës, Tianjin.
Hetimi zyrtar i asaj ngjarjeje zbuloi faktin se korrupsioni, lidhjet politike dhe marrëveshjet zyrtare kishin bërë që sistemet e sigurisë të anashkaloheshin.