Kina i ka udhëruar kompanitë e Koresë Veriore që deri në muajin janar të ndalojnë veprimtaritë e tyre në territorin kinez për shkak të zbatimit të sanksioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pasi Pheniani ka kryer testin e gjashtë bërthamor, ka thënë Ministria për Tregti.
Kjo ministri ka bërë të ditur se kompanitë, kanë 120 ditë kohë që të mbyllen, duke nisur nga data prej kur ka filluar zbatimi i rezolutës së OKB-së më 11 shtator.
Ky njoftim ka ardhur disa ditë, pasi Kina ka konfirmuar se do të aplikojë sanksione të reja duke përfshirë limitimin e eksportit të naftës së rafinuar për në Korenë Veriore duke filluar nga 1 tetori.
Zbatimi i sanksioneve të OKB-së nga Kina konsiderohet i ashpër për Korenë Veriore.
Pekini njihet si një prej partnerëve kryesor të Phenianit, sa i përket tregtisë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë presion Kinës që të përdorë fuqitë e saj ekonomike, në mënyrë që Koreja Veriore të heqë dorë nga ambiciet e saj bërthamore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, do ta vizitojë Pekinin gjatë këtij vikendi për biseduar me diplomatin e lartë të Kinës, Yang Jiechi dhe ministrin e Jashtëm, Wang Yi.
Tillerson do të diskutojë rreth tensioneve bërthamore të Koresë Veriore, çështjeve tregtare dhe rreth vizitës së planifikuar të presidentit amerikan, Donald Trump në Kinë gjatë muajit nëntor, ka thënë Departameti amerikan i Shtetit.
Gjatë kësaj kohe përveç Kinës, Trump pritet të vizitojë edhe Japoninë dhe Korenë Jugore.