Eliud Kipchoge ka fituar maratonën e Londrës për herë të tretë, të dielën, ndërsa Mo Farah ka vendosur rekord të ri britanik duke dalë i treti. Ndërkohë ishte një fitore befasuese për Vivian Cheruiyotin në garën e femrave.
Kipchoge, që kishte hequr dorë nga gara e vitit të kaluar në Londër për të tentuar të vrapojë një maratonë (42 kilometra e 195 metra) nën dy orë në Itali, nuk arriti të thyente të dielën rekordin e botës të Dennis Kimmettos, pasi që temperaturat e larta në kryeqendrën e Anglisë i bënë kushtet e vështira për vrapim.
Favoritja për të fituar garën e femrave Mary Keitany, tentoi të thyente rekordin e Paula Radcliffet për “garën e kombinuar” – të ndihmuar nga udhëheqës të tempit meshkuj – por keniania pati vështirësi nga fundi i garës dhe në fund doli e pesta, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Kjo i lejoi kenianes tjetër Viviane Cheruiyotit të fitojë titullin e saj të parë në Londër, ndërsa kishte fituar maratonën e saj të parë në karrierë në Frankfurt në tetor të vitit të kaluar.
Rekordi i britanikes Radcliffe, i vendosur në vitin 2003, dukej në rrezik në fillim pasi Keitany udhëhoqi me komoditet pjesën më të madhe të garës, por kushtet atmosferike e bënë të veten nga fundi i garës.
Gara e meshkujve po ashtu ishte në një temp impresiv, ku lideri i hershëm Guye Adola regjistroi kohë 4:22 minuta pas 1.6 kilometra dhe Farah qëndroi me grupin lider, deri te momenti i një incidenti bizar kur humbi një shishe të pijes diku rreth 16 kilometra në garë, që e vonoi atë pasi pati edhe një fjalosje me një kujdestar të garës.