Kirurgët e Klinikës Abdominal, Kirurgjisë së Fëmijëve dhe asaj Plastike të Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë hyrë në grevë njëditore. Ata kanë kërkuar rritje të pagave dhe që në Ligin e ri për pagat të caktohet koeficienti për paga në përputhje me shkollimin, specializimin, titujt akademik, punën e vështirë dhe rrezikshmërinë.
Afrim Tahiri, specialist në kirurgjinë Abdominale, i tha Ekonomia Online se pavarësisht se janë në grevë, pacientët që janë raste urgjente do të trajtohen dhe nuk do të pësojnë nga ky veprim.
“Greva është për rastet e planifikume, për rastet emergjente punohet normalisht. Para dy muajsh ka qenë e organizuar edhe një grevë dhe kërkesat bazë kanë qenë rritja e pagave, pagesa e kujdestarive, pagesa e rrezikshmërisë në punë dhe aplikimi i ligjeve siç është ligji i punës, i cili sot në rastin e mjekëve nuk aplikohet”.
Kirurgët kanë paralajmëruar se nëse kjo grevë njëditore nuk do të ketë sukses në kërkesat e tyre, ata nga data 18 qershor do të marrin masa më rigoroze.
“Me organizimin e kësaj greve 24 orëshe presim reflektimin e Qeverisë në kërkesat tonë që ne mendojmë që janë të drejta, nëse nuk do të ketë një përgjigje është menduar që një grevë tjetër të organizohet me 18 qershor, kërkesa kryesore është rritja e pagave dhe caktimi i koeficientit në Projektligjin për paga në përputhje me shkollimin, specializimin, titujt akademik, punën e vështirë dhe rrezikshmërinë”, shtoi Tahiri.
Sipas tij, kërkesa i kanë përcjellë në Ministrinë e Shëndetësisë, por që akoma nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Kërkesat janë qysh nga muaji shkurt-mars drejtuar Drejtorisë së Shërbimit Spitalor, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë, një grevë dy javore e cila ka qenë e organizuar, mirëpo deri më tani nuk ka pasur ndonjë refleksion në plotësimin e kërkesave të punëtorëve”, tha Tahiri.
Tahiri tha se Qeveria do ishte dashur të reflektoj deri më tani sepse sipas tij, këto janë probleme të grumbulluara që 18 vite dhe ai thotë që asnjëherë mjeku dhe personeli mjekësor nuk e ka pasur vendin e merituar.
“Me që Qeveria deri më sot nuk ka reflektuar në kërkesa tona dhe nuk ka pasur ndonjë transparencë se si po shkojnë punët në ecjen e projektligjit për pagat dhe si do jetë koeficienti për neve mjekët, ne e kemi paralajmëruar këtë grevë, i kemi njoftuar institucionet dhe do jetë grevë 24 orëshe dhe do pritet se si do reagoj qeveria në kërkesa tona”, tha Tahiri.
“Sot nuk kemi planifikuar operime që pacientët të mos vijnë dhe të kthehen, rastet që janë që kushtimisht një pacient e ka pasur një problem që 10 vite dhe po don tani me e kry, pra nuk është ndonjë emergjencë për ta kryer atë rast, ndërsa rastet urgjente të gjitha kryhen me mjekët kujdestarë 24 orë”, tha Tahiri.
Zëdhënësi i QKUK, Shpend Fazliu tha se puna në repartin e Kirurgjisë nuk është duke penguar pacientët të cilët kanë nevojë për trajtim emergjent nga ana e krirugëve.
Ai tha se ligji për paga është në përgatitje e sipër dhe shpreson që shumë shpejtë do të shkoj në Qeveri për procedim dhe më pas të kaloj në Kuvend për të u votuar nga deputetët.
“Stafi i mjekëve të kirurgjisë abdominale kanë bërë një njoftim për një grevë një ditore dhe ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe shërbimi spitalor klinik universitar i Kosovës kanë formuar grupet punuese dhe është duke u punuar në përgatitje për ligjin për paga duke punuar në nivel të gjithë qeverisë dhe me ligjin për paga parashihet që pagat e mjekëve të jenë shumë me të larta dhe të ketë nivelizim të pagave të përgjithshme për gjithë sektorin administrativ dhe sektor të tjera”, tha Fazliu.
“Shpresojmë që ligji i pagave të përgatitet sa më shpejtë që të jetë e mundur, grupet punuese janë duke punuar dhe ligji i ri i pagave parashihet të kaloj në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pastaj të procedohet edhe në Kuvendin e Kosovës për votim tek deputetët dhe sipas informacionet qe i kemi të gjitha rastet emergjente që kanë pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjike dhe për kontrolli emergjente janë kryer nga ana e kirurgëve abdominal dhe nuk ka pasë asnjë pacient”, shtoi Fazliu.