“Kisha nevojë për hakmarrje”: Mourinho e hap dosjen e “luftës” së tij me Abramovichin

Prishtinë | 10 Gus 2026 | 12:52 | Nga Ekonomia Online

José Mourinho e ka rikthyer në vëmendje një nga periudhat më të diskutueshme të karrierës së tij, duke folur hapur për marrëdhënien e komplikuar me Roman Abramovichin, ish-pronarin e Chelseat, i cili e shkarkoi trajnerin portugez dy herë.

Në një dokumentar të ri të Netflix që e rrëfen karrierën e tij si trajner, Mourinho ka folur për përplasjet me Abramovichin lidhur me mënyrën se si drejtohej skuadra dhe për transferimet që bëheshin nga klubi.

“Special One” ka treguar se Abramovich filloi të ndërhynte gjithnjë e më shumë në çështjet sportive gjatë periudhës së tij të parë te Chelsea.

Një nga pikat kryesore të konfliktit ishte transferimi i Andriy Shevchenkos nga Milani në maj të vitit 2006 për rreth 30 milionë funte, në atë kohë një rekord për klubin londinez.

Sulmuesi ukrainas nuk arriti ta përsëriste në Premierligë formën që e kishte treguar në Itali dhe në Evropë.

Në 48 ndeshje të Premierligë me Chelsean, Shevchenko i shënoi vetëm nëntë gola.

Mourinho e ka pranuar se Shevchenko nuk ishte zgjedhja e tij e parë, por e ka marrë edhe një pjesë të përgjegjësisë, pasi nuk e kundërshtoi publikisht transferimin.

“Abramovich e kishte një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin, por nuk e kuptonte realitetin e situatës”, ka thënë Mourinho.

“Emri i Shevchenkos u propozua për shkak të marrëdhënieve mes pronarit dhe menaxherëve të lojtarëve. Unë nuk doja ta transferoja, por nuk e kundërshtova publikisht, ndaj edhe unë mbaj përgjegjësi për këtë”, ka shtuar ai.

Mourinho e ka zbuluar edhe sulmuesin që dëshironte në të vërtetë. “A doni ta dini lojtarin që doja ta transferoja? Samuel Eto’o”, ka treguar portugezi.

Disa vite më vonë, Eto’o do të bëhej njëri prej sulmuesve më të rëndësishëm në karrierën e Mourinhos.

Të dy punuan së bashku te Interi, ku në vitin 2010 e fituan tripletën historike: Serie A, Kupën e Italisë dhe Champions Leaguen.

Mourinho u shkarkua për herë të parë nga Chelsea në shtator të vitit 2007, pas disa viteve të jashtëzakonshme me klubin londinez.

Ai u rikthye më vonë në “Stamford Bridge”, por edhe aventura e dytë përfundoi me shkarkimin e tij në dhjetor të vitit 2015.

Megjithatë, mundësia për t’u përballur me ish-klubin erdhi shumë më herët.

Në sezonin 2009/10, shorti i Championsit i vendosi përballë Interin e Mourinhos dhe Chelsean.

Portugezi u rikthye në “Stamford Bridge” vetëm disa vite pas shkarkimit.

Interi fitoi 1-0 në ndeshjen e parë dhe më pas e siguroi kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 3-1.

Por Interi nuk u ndal aty. Skuadra italiane e vazhdoi rrugëtimin deri në fund dhe e fitoi Ligën e Kampionëve duke e kompletuar njërin prej sezoneve më të mëdha në historinë e klubit.

Mourinho e ka pranuar se përballja me Chelsean nuk ishte thjesht një ndeshje e Championsit për të.

“Aty po luaja kundër Romanit. Po luaja kundër njeriut që më kishte shkarkuar. Doja të kthehesha në shtëpi i lumtur dhe ai të kthehej i mërzitur, sepse e di sa shumë e donte Chelsean dhe sa shumë i pëlqente të fitonte”, ka rrëfyer Mourinho.

Trajneri portugez ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë kur ka folur për motivimin e tij.

“Kisha nevojë për hakmarrje, sepse futbolli u përket njerëzve si unë. Të tjerët janë ndërhyrës që nuk i përkasin kësaj botë”, ka deklaruar ai.

Mourinho e mbylli mendimin me një mesazh që e përmbledh filozofinë e tij për futbollin.

“Futbolli u përket lojtarëve, trajnerëve dhe tifozëve. Dhe do të jetë gjithmonë i yni.”

Me këto rrëfime, Mourinho e ka rihapur një nga kapitujt më të debatueshëm të karrierës së tij, duke treguar se marrëdhënia me Abramovichin nuk ishte vetëm një raport mes trajnerit dhe pronarit, por edhe një përplasje për vizionin, vendimmarrjen dhe kontrollin te Chelsea.

Të ngjashme