Policia e Kosovës kishte arrestuar personin i cili ka kërcënuar me vrasje presidentin e vendit, Hashim Thaçin, ata e kishin dorëzuar para drejtësisë, e drejtësia sot ka marrë vendim në lidhje me të.
Kujtim Peci, personi i cili para tre muajve kishte kërcënuar me vrasje presidentin e vendit, Hashim Thaçi është dënuar sot me 2, 500 euro gjobë nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
40 vjeçari Kujtim Peci nga rajoni i Mitrovicës, kishte kërcënuar presidentin Thaçi përmes Facebook, duke shkruar se Presidentin s’do të bëjë as gjumë me ç’rast edhe kishte postuar dy fotografi ku shihen dy armë.
“Sot i zhdrypa prej tavani se në kuvend po flitet për ndarjen e Kosovës nga Hashim Broja. Le ta dijë Hashim Broja a kushdo qoftë ai se ende jemi gjallë pjesa e Veriut. Nuk e lejojmë ndarjen o Hashim Broja, dije se gjumin, gjumë s’ta le me bo”, kishte shkruar Boletini në kërcënimin e tij.
Për këtë, Peci fillimisht ishte dënuar me katër muaj burgim, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit, dënimi me burg u zëvendësua në atë me gjobë, në shumën prej 2,500 euro.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 12 maj 2020, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se kjo gjykatë kishte aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të akuzuarit Peci.