Para 100 vitesh, tri ngjyra – e zeza, e kuqja dhe e arta u kthyen në ngjyrat kombëtare gjermane. Por ky kombinim ka një histori më të gjatë. Një ekskursion në historinë e simbolikën e flamurit gjerman.
E zeza, e kuqja, e arta – janë ngjyrat e rezistencës, ngjyrat e emancipimit. Kështu mendonte Florian Geyer, një nga krerët e luftës së bujkrobërve gjermanë në fillimet e shekullit të 16-të.
Asokohe bujkrobërit u ngritën kundër feudalëve gjermanë dhe aleatit të tyre, kishës katolike. Florian Geyer ishte në radhën e parë të këtij revolucioni social, çështjet kryesore të të cilit u shprehën në ngjyrat e lëvizjes.
Sipas legjendës, kreu i bujkrobërisë është shprehur kështu: “Arin tonë aristokratët dhe priftërinjtë e kanë përftuar nga djersa jonë, derisa pikëllimi ynë u nxi si nata, dhe zemërimi ynë u bë i kuq si gjaku. Epo mirë vëllezër, le t’ua vëmë gjelin e kuq mbi çati”.
Emancipimin dhe lirinë e kishin moto të tyre edhe të ashtuquajturit “Lützowsches Freikorps” – trupat vullnetare Lytcoviane, një shoqatë vullnetare e ushtrisë prusiane që mori pjesë edhe në luftime kundër ushtrisë së perandorit francez, Napoleon.
Kjo trupë nga pikëpamja ushtarake nuk arriti shumë, por ideja e bashkimit vullnetar bëri për vete shumë gjermanë.
Ajo mishëroi dëshirën e shumë gjermanëve për një shtet të bashkuar, një qeveri përtej principatave në një vend të përçarë. Por ende në këtë kohë bashkimi i gjermanëve ishte një ëndërr e largët.
“Nga nata e zezë përmes gjakut të kuq drejt diellit të artë” – kështu e përmblodhi rrugën e gjatë drejt shtetit federal gjerman, Theodor Körner, atëherë një poet i njohur gjerman, që u bë pjesë e trupës lytcoviane.
Simbolikë dhe pragmatizëm
Me gjithë këtë ka pasur arsye pragmatike për tre ngjyrat, thotë Ulrike Dittrich, drejtore ekzekutive e Fondacionit “Hambacher Schloss” në bisedë me Deutsche Wellen.
Fillimisht nuk ekzistonte një uniformë e njësuar.
“Kështu veshjet në dispozicion ngjyroseshin me të zezë. Pastaj ato u rregulluan me mansheta të kuqe dhe kopsa të arta, ndoshta prej tunxhi”.
Kështu u përzien simbolika dhe pragmatizmi – e zeza e natës ishte afërmendsh, sepse veshjet mund të ngjyroseshin shpejt me bojë të zezë.
Të zeza-të kuqe-të arta ishin edhe ngjyrat e mijëra njerëzve, të cilët në vitin 1832 morën rrugën drejt kështjellës Hambacher (Hambacher Schloss) për të festuar atje ëndrrën e lashtë të bashkimit gjerman.
Liria dhe sovraniteti i popullit ishin qëllime të tjera që ngrinin lart përfaqësuesit në Hambacher Schloss.
Kombinimi i ngjyrave të flamurit aktual gjerman është përdorur për herë të parë në Festën Hambacher, thotë Ulrike Dittrich.
“Menjëherë pas procesionit festiv që proklamoi liberalizimin dhe një Gjermani të bashkuar e madje edhe idenë e një Europe konfederale, u ngrit në kullën më të lartë të kështjellës Hambacher flamuri”.
Në këtë kështjellë, një nga vendet më simbolike të historisë së bashkimit të Gjermanisë, që nga ajo kohë gjithmonë valëvitet një flamur gjerman.
Revolucioni i vitit 1848
Federata Gjermane, në të cilën u bashkuan Perandori i Austrisë, mbretërit e Prusisë, Danimarka dhe Holanda, si edhe princërit gjermanë të provincave e qytetet e lira reagoi me shtypje kundër lëvizjes së lirisë.
Duhej të kalonte edhe një dekadë e gjysmë, që borgjezia gjermane të bashkohej me Revolucionin e vitit 1848 për të luftuar për një Gjermani të bashkuar.
Bashkë me ta edhe Ludwig Jahn, më vonë i njohur si themelues i “Lëvizjes së Skalitjes së Trupit”.
Gjatë luftërave kundër Napoleonit, ai kishte kombinuar disa ushtrime trupore, që duhej të kalisnin ushtarët për luftën.
Edhe në vitin 1848 ai ishte pjesë e lëvizjes. “Ende mbaj ngjyrat gjermane, ashtu siç i kam pasur në luftërat çlirimtare”, citohet ai.
Kontribut për suksesin e luftës qytetare dha Mbreti Friedrich Wilhelm IV në mars në Berlin, kur kalëroi me një shirit me tre ngjyrat – të zezë-të kuqe-të artë nëpër rrugë dhe doli në krye të revolucionit.
Në Maj 1848 u mblodh në Kishën Paul të Frankfurtit Asambleja Kombëtare, parlamenti i përkohshëm i Perandorisë Gjermane krijuar në të njëjtin vit, e njohur në vitin 1871 si “Deutsche Kaiserreich”, por që pati si ngjyra kombëtare të zezën-të bardhën-të kuqen.
100 vite pas Republikës së parë
Kur kjo perandori mori fund me fundin e Luftës së Parë Botërore dhe nga trazirat e revolucionit lindi Republika e Vajmarit, baballarët themelues rizbuluan ngjyrat e vitit 1848.
Më 18 shkurt 1919 një komision i landeve gjermane në Asamblenë Kombëtare mori vendimin që këto ngjyra të jenë edhe ngjyrat e flamurit gjerman.
“Këto ngjyra u përdorën nga shkurti 1919 në demokracinë e parë si flamur”, thotë Ulricke Dittrich. “Por më vonë ky vendim u rrëzua nga nacionalsocialistët. Nazistët madje e dogjën këtë flamur, e me këtë simbolikisht edhe pasurinë mendore liberale”.
Gjermania ka nxjerrë mësime nga kjo përvojë, u shpreh presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së ngjyrave kombëtare.
“Ne nuk duhet t’ua lëmë kurrë në dorë këto ngjyra atyre që e përçmojnë lirinë. Le të jemi krenarë për këto ngjyra tradicionale e për simbolikën e tyre: E zezë, e kuqe, e artë – janë demokracia, ligji dhe liria!”. /DW/