Është shumë më e lehtë për fëmijët që të mësojnë gjuhë të reja, se sa për të rriturit. Në mënyrë më specifike, aftësia e një njeriu për të mësuar një gjuhë të re e ka kulmin e vet në moshën 7 vjeç, sipas një raporti të botuar nga Tech Insider.
Aftësia juaj për të mësuar – dhe kujtuar – emra të rinj, megjithatë e ka kulmin më vonë, në moshën 22 vjeç.
Dhe do të duhet edhe një tjetër dekadë, përpara se të arrijë kulmin aftësia juaj për të kujtuar fytyrat. Sipas mesatareve të studimeve të ndryshme, njerëzit i mbajnë më mirë fytyrat rreth moshës 32 vjeç. Në pjesën më të madhe, këto mosha kulmesh të aftësive janë të njëjta, pavarësisht gjinisë.
Por mosha në të cilën do të kenë pagën më të madhe ka një mospërputhje të madhe sa i përket gjinisë – gratë e arrijnë në moshën 39 vjeç, ndërsa burrat në moshën 48 vjeç. Sidoqoftë, të dy gjinitë e arrijnë kulmin e aftësive aritmetike në moshën 50 vjeç.
Një vit më vonë, kur mbushin 51 vjeç, njerëzit arrijnë të kuptojnë më mirë emocionet e të tjerëve. Kulmi sa i përket fjalorit arrin në moshën 69 vjeç, kulmi i lumturisë me trupin tuaj në moshën 74 vjeç, dhe e fundit në radhë është kulmi i mirëqenies psikologjike, që thuhet se arrin në moshën 82 vjeç.