Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në takimin që është mbajtur sot, e ka vlerësuar të qetë situatën e sigurisë në Komunën e Klinës. Është biseduar për lirinë e lëvizjes, qentë endacakë, njerëzit që kërkojnë lëmoshë, sigurinë afër shkollave dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me sigurinë. Ishte vlerësim i përgjithshëm që situata e sigurisë është e qetë dhe gjithë qytetarët pa dallim lëvizin lirshëm.
Komandanti i Stacionit të Policisë në Klinë, toger Rexhë Berisha, ka treguar se situata e sigurisë është stabile, përveç disa rasteve të cilat nuk ndikojnë në sigurinë e përgjithshme në këtë Komunë. Në këtë tre mujor, toger Berisha, ka treguar se ka pasur 81 raste të natyrave të ndryshme: 27 aksidente, 17 persona janë ndaluar, ndërsa 71 janë arrestuar. Janë konfiskuar 4 armë pa leje dhe 26 copë municion. “ Rastet e vjedhjeve, krahasuar me vitin e kaluar kanë shënuar rënie dhe kjo falë punës së Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimit të mirë me institucionet lokale dhe qytetarët. Së fundmi është kapur një grup i hajnave”, ka thënë Berisha. Nga policia është kërkuar të jetë prezent afër shkollave në mes të dy ndërrimeve, ku fluksi i nxënësve është më i madh, derisa u kërkua edhe trajtimi i qenve endacakë.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka përshëndetur gjithë anëtarët e KKSB-së dhe ka thënë se bashkërisht mund të punojmë edhe më shumë në krijimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, e cila është stabile dhe e qetë. “ Ka disa raste të rralla të vjedhjeve në prona të të gjitha komuniteteve, por policia është duke e kryer punën e vet”, pohoi Elezaj, i cili njoftoi se për trajtimin e qenve endacakë është ndarë një fond 1.6 milion euro nga Qeveria e Kosovës në nivel vendi. “ Trajtimi i qenve endacakë do të nis shumë shpejt, AVUK-u do të realizojë këtë projekt”, ka njoftuar kryetari Elezaj.
Ky ishte takimi i parë i KKSB-së sivjet, të cilin tash e tutje do ta udhëheq nënkryetari Besim Hoti, i cili i njoftoi anëtarët e këtij Këshilli se është në përfundim draft-plani i punës së KKSB-së dhe në takimin e radhës ai do të jetë në shërbim të anëtarëve për të dhënë plotësimet dhe sugjerimet e nevojshme për të marrë edhe vizën përfundimtare në Kuvendin e Komunës.