Komuna e Klinës që nga viti i kaluar ka shpeshtuar kërkesat në adresë të institucioneve qendrore për ta përkrahur zhvillimin e kësaj komune me shpalljen e Zonës Minerale të Boksitit si zonë me interes strategjik, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kërkesat e para kreu i kësaj Komune, Zenun Elezaj, i kishte paraqitur në një takim me qeveritarët shtetërorë në zyrën e tij në shtatorin e vitit të kaluar dhe ato kërkesa Elezaj thotë se i ka përsëritur vazhdimisht.
Herën e fundit, sipas tij, muajin e kaluar.
“I kam takuar të gjithë faktorët për këtë çështje. Ua kam përsëritur kërkesën për shpalljen e asaj zone me interes strategjik edhe para disa javësh Kryeministrisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Qëllimi i Komunës është që të zhvillohet ai resurs i mineraleve që ka Komuna me investime strategjike. Po shpresojmë mos po bëhet diçka dhe po e mbështesin këtë kërkesë tonën tepër të rëndësishme për Komunën tonë”, thotë kreu i Klinës.