Klina midis izolimit e kërkesave për materiale mbrojtëse

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 07:45 | Nga Ekonomia Online

Ndalimi i hyrjeve dhe daljeve në Komunën e Klinës midis telasheve që u ka sjellë qytetarëve është edhe pamundësia që fermerët ta dorëzojnë qumështin e tyre. Të paktën gjatë ditës së shtunë – një ditë pasi Qeveria vendosi që Klina të izolohet – fermerët janë përballur më këtë problem.

Tahir Berisha mban familjen nëpërmjet sipërmarrjes së tij. Banori i fshatit Gjurgjevik i Madh që gjendet 10 kilometra në perëndim të Klinës ka në pronësi 20 lopë qumështore. Pos kësaj, ai grumbullon qumështin e bashkëfshatarëve. Janë dy kompani të cilat marrin qumështin te Berisha. Por gjatë ditës së shtunë gjërat kishin ndërruar, raporton KOHA.

“Gjatë ditës së shtunë transportuesi nuk ka ardhur ta marrë qumështin. Është dashur që ata që e dorëzojnë qumështin tek unë të vijnë ta marrin. Unë një pjesë e kam bërë djathë e një tjetër më është dashur ta asgjësoj”, ka thënë Berisha.

Më pas kishte biseduar me Policinë e Kosovës. Gjendja ishte përmirësuar të dielën. Tashmë transportuesit lejohen të kalojnë patrullën policore që gjendet rreth 1.5 kilometra larg fermës së Berishës. Fermeri ka thënë se aktualisht posedon ushqim të mjaftueshëm për kafshë. Por nëse izolimi i Komunës së Klinës vazhdon edhe më tutje, gjërat mund të ndërrojnë.

“Ushqim për kafshë kemi njëherë. Por nëse zgjat kjo gjendje nuk do të kemi. I lus fermerët ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Më së keqi jemi për koncentrate. Fermerët duhet të lejohen që të furnizohen me ushqim të kafshëve. Duhet që të gjithë të jemi të sinqertë”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme