Nën përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, sot është shënuar 4 Prilli – Dita e të Zhdukurve të Luftës së kësaj Komune.
Me këtë rast, është kujtuar edhe Eksodi i dhunshëm i familjeve të qytetit të Klinës nga forcat serbe, nga 28 marsi deri me 4 prill, ku shumë burra pas qëndrimit disa ditorë në Kralan të Gjakovës ishin rrëmbyer nga forcat serbe për t’u zhdukur pa gjurmë. Edhe pas 18 vite disa nga familjarët akoma nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre.
Në Akademinë përkujtimore, që është mbajtur në Qendrën e Kulturës “ Jehona e Dukagjinit” në Klinë, në të cilën kanë marrë pjesë familjare dhe personalitete të shumta të jetës politike e kulturore, kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka thënë se dhimbja për qytetarët e Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës është për 12 muaj të vitit dhe ajo do të vazhdojë edhe me tutje deri në momentin ku të gjendet personi i fundit i zhdukur.
“Kemi ngritur një lapidar, si shenjë e kujtimit, jo vetëm për ne, brezat, që përjetuan atë kauzë, por do të mbetet gjithmonë aty për të kujtuar rrugën, historinë e këtij vendi dhe veprën e këtyre personave. Le të shërbejnë këto evenimente tona për institucionet vendore e ndërkombëtare që të ngrehin zërin fuqishëm për të zbardhur rastet e tilla”, ka thënë kryetari Bashota.
Ai u tha familjarëve se për ju dhe ne është dhimbje pa fund derisa të zbardhet fati edhe i personit të fundit. Tetëmbëdhjetë vite me parë, forcat serbe ushtarake të ndihmuar nga paramilitarët serbë, në fshatin Kralan të Gjakovës, në një luginë të këtij fshati, kanë marrë me vete 87 qytetarë të Klinës, të cilët i kishin ndarë nga popullata dhe nga atëherë asgjë më nuk dihet për fatin e tyre. Ata ishin maltretuar në forma të ndryshme për t’i ekzekutuar më pastaj. Pas masakrës së Kralanit pasoi ajo e Pastaselit, ku u rrëmbyen, u ekzekutuan dhe u zhduken 13 qytetarë të Komunës së Klinës, si dhe 35 të tjerë në qytet dhe fshatrat përreth. Trupat e pajetë të disa prej tyre janë identifikuar, kurse edhe për shumë të tjerë akoma nuk ka asnjë gjurmë.
Gjatë ditës janë bërë homazhe dhe vëne kurora lulesh pranë Lapidarit memorial në Klinë, Kralan të Gjakovës, Izbicë të Skenderaj, Pastasel të Rahovecit dhe Poterq të Klinës, ku prehen disa nga trupat e personave të zhdukur që tashme janë identifikuar. Në hollin e Qendrës së Kulturës “ Jehona e Dukagjinit” në Klinë, është hapur ekspozitë me fotografitë e personave të zhdukur.