Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë për Ekonomia Online se protesta është mbajtur për shkak të diskriminimeve që po iu bëhet veteranëve.
Ai tha se kërkesa e veteranëve është të mos e miratojë ligjin, sepse kështu shkelet vendimi i Kushtetueses.
“Protesta ka qenë e planifikuar për t’a kundërshtuar ndryshimin e ligjit. Ne po presim që këta ta tërheqin ligjin, sepse me këtë ndryshim që po tentojnë me bë po e shkelin ligjin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse Kuvendi mendon me ndryshuar diçka natyrisht që këta janë të frustruar dhe nuk do të mund të kontrollohen, por përgjegjësin e mban pushteti”, tha ai.
E kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka thënë se Qeveria e Kosovës po tenton ta kthejë Serbinë në Kosovë.
“Nëse kjo ndodh po ju bëjë thirrje edhe një herë disa deputetëve që janë në parlament nga LVV që kanë qenë të burgosur politik që mos të vendosin ta ngrisin dorën dhe të votojnë pro një ligji që diskriminojnë veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta, në të kundërtën është argat i keq dhe ja jep të drejtën atyre që po pretendojnë ta kthejnë Serbinë . Nëse nuk i plotëson kushtet e këtyre kategorive, dhe nëse kjo Qeveri vazhdon kështu, atëherë me të vërtetë na shtyn të mendojmë që se kjo Qeveri po insiston ta kthej Serbinë këtu”, ka thënë Jashari.