Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas arrestimit të anëtarit të kryesisë së OVL e UÇK-së, Faik Fazliu.
Sveçla përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga siç i ka quajtur ai “të fortët”.
“Përgjigje e shpejtë dhe konform ligjit për të gjithë personat që tentojnë “t’i kryejnë punët privatisht me policët tanë”. Stop sjelljeve banditeske. Askush mbi ligjin”, ka shkruar Sveçla.
Ndërsa, pas këtij postimi ka reaguar kryetari i OVL UÇK-së, Faton Klinaku, i cili ndër të tjera ka thënë: Ai i paska harruar sjelljet e tij banditeske që shumë herë i ka pasur ndaj policisë.
“Paska folur edhe ministri i brendshëm, duke deklaruar se ka kaluar koha e sjelljeve banditeske ndaj policisë. Mirë që ekziston video e aty shihet se kush çfarë ka bërë, dhe është vetëm gjykata ajo që do të sqarojë rrethanat e ngjarjes. Ai i paska harruar sjelljet e tij banditeske që shumë herë i ka pasur ndaj policies”, ka shkruar Klinaku në FB.
Më pas, Anëtari i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faik Fazliu e ka quajtur rrugaç dhe legen ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.