Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e di saktësisht se çfarë nevojitet për ta shpëtuar një sezon zhgënjyes: titulli i shtatë evropian për klubin, kurora e Ligës së Kampionëve.
Liverpooli nisi ta marrë tatëpjetën në dhjetor dhe që prej atëherë ka rënë në pozitën e tetë në Premierligë, duke u dorëzuar në luftë për ta mbrojtur titullin.
Por të kuqtë janë shumë të gjallë në Ligën e Kampionëve, një garë të cilën Klopp ia fitoi së fundmi pas një kohe të gjatë.
Liverpooli e siguroi çerekfinalen pasi e mundi RB Leipzigun dhe tani do të kërkojë ta fitojë trofeun e shtatë në garën më prestigjioze evropiane për klube.
“Do të ishte ëndërr, prandaj pse jo? Por ne nuk jemi në një situatë për të menduar për këtë. Jemi të lumtur që e mposhtëm Leipzigun dhe që jemi në çerekfinale”, tha Klopp për shpresat e ekipit të tij në Evropë.