Bordi i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve ka bërë të ditur se ka marrë ankesa nga futbollistë në Kosovë se ata janë lënë jashtë listave për të përfituar nga asistenca financiare e FFK-së.
Sipas kësaj Shoqate, madje disa klube kanë preferuar që në në listat për përfitues nga asistencat financiare të futen anëtarë të stafit administrativ apo anëtarë të tjerë, transmeton Express.
Më tutje, Bordi i shoqatës ka paralajmëruar se po bëhen shkelje edhe kur po u kërkohet futbollistëve që ta kthejnë një pjesë të ndihmës që e marrin pikërisht te klubet.
“Në adresë të shoqatës kemi pranuar ankesa nga disa futbollistë të Superligës, Ligës së Parë dhe të Dytë, të cilët përkundër se janë licensuar pranë federatës së futbollit për sezonin kalendarik 2019/20, të njëjtit nuk janë përfshirë në listat e klubeve të tyre respektive për të përfituar nga asistenca financiare e FFK, e dedikuar ekskluzivisht për ta” thuhet në deklaratën e Shoqatës.
“Për më tepër, klubet e tyre kanë parapëlqyer që në mënyrë arbitrare të përjashtojnë këta futbollistë nga lista e përfituesve të pakos financiare, dhe të favorizojnë anëtarë të stafit administrativ apo të tjerë anëtarë”.
“Për më tepër, kemi shqetësime të raportuara nga disa futbollistë se klube të caktuara kanë kërkuar nga ta që shuma e përfitimit të lartëpërmendur të kthehet pjesërisht tek klubi. Ne ju bëjmë me dije dhe qartazi, se përfitimi financiar në fjalë nuk duhet cenuar nga ta dhe shuma e dedikuar për lojtar është e paraparë të përfitohet si e plotë”.
“Ritheksojmë se pavarësisht rrogës së rregullt të paraparë si në kontratat e punës me klubet e tyre, shuma financiare është asistencë për mirëqenien individuale të futbollistit e kurrsesi e menduar për destinim të tyre për qëllime tjera. Prandaj edhe është vënë si kriter që të shpërndahet në mënyrë individuale nëpër xhirollogaritë bankare të secilit”.