Klubi i Prodhuesve sot në takim me kryetaren e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, paraqiti Rezolutën e Prodhimit, ku me anë të saj kërkon që industria e prodhimit të shpallet sektor i rëndësisë nacionale. Klubi kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që të përkrahë ndërmarrjet prodhuese, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të tyre. Po ashtu, kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që rimëkëmbjen ekonomike të vendit ta bazojnë në fuqizimin e industrisë së prodhimit, si zgjidhjen e vetme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Kjo rezolutë kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që të rrisin buxhetin për sektorin e prodhimit me qëllim të ofrimit të ndihmës financiare për industrinë e prodhimit. Po ashtu, kjo rezolutë kërkon nga Qeveria e Kosovës do të përkrahë dhe ndihmoj të gjitha ndërmarrjet prodhuese në përmbushjen e standardeve të BE-së përkitazi me kualitetin e produkteve dhe kushteve të përcaktuara në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, me qëllim që ndërmarrjeve t`u lehtësohet eksportimi i prodhimeve vendore në BE dhe ndërmarrjet të bëhen konkurruese në tregun e BE-së.
Kryetarja Osmani, i falënderoi përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve për vizitën dhe shprehu gatishmërinë që të përkrahë këtë rezolutë por edhe prodhuesit në përgjithësi.