Klubi i Prodhuesve të Kosovës paralajmëron për gjendjen alarmante të tregut të energjisë, pas vendimit të miratimit të liberalizimit të tregut, më saktësisht krijimit të mundësive të daljes së konsumatorëve në treg të hapur sipas parimeve dhe afateve të vendosura në Ligjin për Energjinë Elektrike.
Klubi i Prodhuesve gjatë këtyre ditëve është duke avokuar për shtyrjen e vendimit të ZRrE-së (Zyrës së Rregullatorit të Energjisë) për liberalizimin e tregut të energjisë, duke pasur parasysh se në Kosovë ende nuk janë krijuar kushtet për liberalizim të tregut dhe ku furnizim me energji elektrike ende ofrohet nga vetëm një operator.
Me kontratat e reja të parapara për energji, kostoja e energjisë do të jetë diku rreth 30% më e shtrenjtë e cila ofrohet nga operatori i vetë në treg KESCO. Kjo kosto rrit shumë shpenzimet e prodhuesve dhe rrit kostot e prodhimit, duke ju renduar edhe me shumë gjendjen e vështirësuar, e kështu rrezikon edhe humbjen e vendeve të punës.
Prandaj kërkojmë urgjentisht nga partitë politike dhe parlamenti i Kosovës që ta mbikëqyrin situatën dhe të gjejnë modalitetet e duhura ligjore që të shtyjnë këtë vendim, deri në krijimin e rrethanave të cilat do të mundësonin liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Kjo gjendje e tanishme, i shkel parimet e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, që është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës, dhe dëmton rëndë konsumatorin e veçanërisht prodhuesin vendor.