Klubi i Prodhuesve të Kosovës e përkrah vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e masave mbrojtëse për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.
Ky vendim ka qenë i nevojshëm kur kemi parasysh faktin që importi i qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina ka ardhur me çmim më të ulët se kostoja e prodhimeve vendore të qumështit, po ashtu duke marrë parasysh edhe rritjen e këtij importi në tregun vendor, ku si pasojë ka dëmtuar thellësisht pozitën e prodhimeve vendore të qumështit.
Sektori i qumështit në Kosovë vlerësohet si një ndër sektorët me më së shumti të punësuar dhe si një ndër sektorët më me perspektivë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës mbështet çdo vendim ku mbrohen drejtpërdrejtë interesat e prodhuesve vendor. Duhet të kihet parasysh që ky vendim për masat mbrojtëse ndaj importit ndikon direkt tek prodhimi i bujqve, fermerëve dhe tek përpunuesit e qumështit.
Masa të këtilla mbrojtëse mirëpriten nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës sepse përbejnë një lehtësim të madh për prodhuesit vendor, po ashtu Klubi edhe në të ardhmen do të vazhdojë të përkrah MTI-në për çdo vendim që mbështet prodhuesit vendor dhe në të njëjtën kohë e inkurajon atë që të vazhdojë me politika të cilat e fuqizojnë prodhimin e vendit.