Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina “ që po përballet me njëqindmijë probleme , në vend se të punojë për tejkalimin e tyre iu përgjigj ftesës së SBASHK-ut duke u futur në grevë , pa pasur asnjë arsye objektive për këtë. SBASHK –u , si kamikaz , ka hyrë në mision të shkatërrimit të arsimit duke ua mohuar nxënësve të drejtën elementare të njeriut , të drejtën për shkollim cilësorë e që këtë SBASHK –u asnjëherë nuk e ka kërkuar.
Kërkesat e SBASHK –ut janë të natyrës ekskluzivisht materiale e që e kompromiton grevën dhe qëllimin e saj për ngritje të cilësisë së arsimit dhe ngritje të standardit jetësorë për të gjithë të punësuarit në sferën e arsimit e jo vetëm për arsimtarët , siç pati kërkuar SBASHK e që pas kërkesës së KMDLNJj –së , SBASHK-u e zgjeroi kërkesën. Greva dhe organizimi sindikal janë njëra ndër vlerat kryesore të demokracisë dhe të drejta të njeriut kur ato janë të arsyeshme dhe kur nuk e dëmtojnë sistemin arsimor po kundër të drejtave të njeriut. Greva e organizuar nga SBASHK –u përmbajtësisht e dëmton sistemin arsimor i cili , edhe ashtu përballet me shumë probleme për faktin se SBASHK-u po kërcënon se kjo grevë do të zgjasë disa muaj, apo , deri në përmbushje të kërkesave të tyre të natyrës krejtësisht materiale.
Kërcënimi se do ta bojkotoni arsimin për muaj të tërë , përveç se është në kundërshtim me moralin , ai duhet të sanksionohet me ligjet në fuqi shkaku se shantazhimin , duke përdorur nxënës të moshës jomadhore po e përdor për arritjen e qëllimeve materiale. Këshilli i Prindërve e ka kundërshtuar këtë mënyrë të grevës sepse , në fund të fundit , ata që e pësojnë janë nxënësit apo fëmijët e tyre . Askush nuk ka të drejtë të kërkojë kompensimin e orëve të humbura për nxënësit që , në mungesë të arsimtarëve janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi , as gjatë fundjavës e as gjatë pushimeve të parapara , qofshin ato dimërore apo verore . Për këtë përgjegjësinë duhet ta marrin bashkë , SBASHK-u dhe arsimtarët që po refuzojnë të mbajnë mësim në shkollat anekënd Kosovës! Ka shumë forma tjera të manifestimit të pakënaqësisë së arsimtarëve dhe administratës me koficientin e pagave por se nuk janë shfrytëzuar dhe SBASHK –u , duke radikalizuar protestën që ndoshta , nëse zgjatë edhe më shumë, pariparueshëm do ta dëmtojë arsimin e ulët dhe të mesëm në ndërkohë që ai i lartë apo universitar ka kohë që është në një “vdekje klinike në fushën e dijes “ apo në koma nga goditjet dhe ndërhyrjet politike dhe vendosjes së marionetave gjysëmalfabetë, në poste ku kërkohet përgjegjësia , besueshmëria dhe kompetenca intelektuale dhe moralr!
Profesorët e Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve tjera publike të formuara gjatë fushatave elektorale nuk kanë asnjë arsye të vetme për grevë , si reagim i skajshëm i pakënaqësisë , sepse , krahasuar me universitetet publike të rajonit , të ardhurat i kanë shumë të larta kurse përgjegjësinë e kanë minimale , mos të themi se janë fare të papërgjegjshëm . Përveç se mungojnë në ligjerata dhe se si suflerë i dërgojnë asistentët e tyre , tipari kryesor dallues i shumicës së tyre është flirtimi dhe bashkëjetesa me strukturat politike të pushtetit , pavarësisht se cila apo cilat parti janë në pushtet. “ Nobelistët “ e Universitetit të Prishtinës , jo rrallë herë kanë qenë supermen të vërtetë duke punuar në , deri shtatë ( 7 ) vende pune ! Nepotizmi është mënyrë e të punuarit dhe standard moral dhe profesional në Universitetin e Prishtinës sikur edhe plagjiatura e punimeve “ shkencore “ që është dëshmuar në shumë raste por se kanl mbetur kryesisht të pandëshkuara . Vështirë është të gjeni një universitet tjetër publik në botë ku një gradë shkencore fitohet aq lehtë dhe aq pameritueshëm se në Universitetin e Prishtinës dhe se ku aq lehtë degradohet dhe përbaltet një titull shkencor duke shfrytëzuar plagjiaturën si “ armë intelektuale dhe akademike “ dhe të lejuar, pas së cilës , vargazi vijnë edhe përparimet në karrierë , akademike dhe politike ! KMDLNj –së i janë drejtuar prindër që , për shkak të grevës në çerdhet publike , janë detyruar t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhet private dhe për këtë detyrohen të paguajnë mjete shtesë për faktin se , ose duhet të paguajnë , ose duhet të mos shkojnë në punë ! Për këtë arsye KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon të mos paguajnë për shërbime që nuk u ofrohen , përkatësisht të mos paguajnë për çerdhe publike për aq kohë sa atë refuzojnë të ofrojnë shërbime . Dhe , nëse çerdhet kërkojnë kompensim për shërbimet që nuk i kanë ofruar dhe për këtë përdorin kërcënimin se do t’i largojnë këta fëmijë nga çerdhja , prindërit duhet të bëjnë padi te organet përkatëse.
KMDLNj kërkon nga prindërit që të këmbëngulin që fëmijët e tyre t’i vijojnë mësimet duke i dërguar në shkolla dhe duke qëndruar me ta sikur që kërkonë nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve tjera publike të formuara gjatë fushatave elektorale të protestojnë para rektoratit duke kërkuar përgjegjësi për ata që me aq lehtësi dhe pa asnjë arsye të mirëqenë ua humbën afatin e janarit duke i vënë në pikëpyetje edhe afatet tjera . KMDLNj është kundër politizimit të grevës sikur që është edhe kundër ndërhyrjeve politike ndaj atyre që janë duke bërë grevë. Greva e deritashme e ka dëmtuar shumë procesin arsimor në Kosovë , në të gjitha nivelet dhe ajo nuk mund të ndalet me inate dhe veprime politike por se duhet të jetë e mbështetur në vullnetin e nxënësve , studentëve dhe stafit arsimorë dhe administrativ për të vazhduar shkollimin , si e drejtë por edhe detyrim ligjor ! KMDLNj fton deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos votojnë Ligjin për Paga nëse ai përligj dallimet e mëdha në paga , për punën e njëjtë që e bëjnë. Në këtë kontekst , KMDLNj kërkon të krasiten pagat e politikajve duke marrë parasysh mundësitë buxhetore si dhe praktikat e mira të vendeve të rajonit ! Çdo diskriminim që do të përligjej me Ligjin e Pagave do të jetë burim i përhershëm i grevave duke shkaktuar destabilizim të situatës sociale dhe politike si dhe të sigurisë!