Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me ligjet reja për komunikacion.
Në një njoftim për media ata kanë shkruar se dënimet e larta janë të papërballueshme për shumicën e qytetarëve.
Ja reagimi i plotë i KMDLNJ-së:
Ligji i ri për Komunikacion , për efekte parandaluese apo akumulim të fondeve!
Ligji i ri për Komunikacion që tashmë ka hyrë në zbatim parasheh dënime të rënda për shkelësit e rregullave të komunikacionit. Përveç pikëve negative , në shumë raste parashihet edhe marrja e lejes për vozitje për një kohë të caktuar ndërsa dënimet e shqiptuara shkojnë nga 150 deri në 6000 euro që për rrethanet tona dhe standardin jetësor duken të papërballueshme . Për shkak të aksidenteve të shumta dhe rritjes së numrit të rasteve që përfundojnë me fatalitet ka qenë e domosdoshme të ndërmerren veprime që në vend se të merremi me pasojat e aksidenteve në komunikacion , t’i parandalojmë këto aksidente duke i ulur pasojat , në njerëz dhe dëme materiale.
Ligji i ri për Komunikacion mund ta ketë këtë qëllim por efektet do të jenë në kundërshtim me të priturat. Nëse ky ligj mbetet i tillë siç është , mund të ketë efekte afatshkurtëra por pasoja afatgjata.
E para , dënimet e larta janë të papërballueshme për shumicën e qytetarëve të cilët, në rast se nuk i paguajnë dënimet mund të përballen me përmbaruesit ose dënimin me burg.
E dyta , nëse nuk instalohet sistemi i kamerave apo nuk sigurohet një mbikëqyrje , ky ligj i ri për komunikacionin mund dhe do të rrisë korrupsionin e policëve të trafikut rrugor sidomos nëse kemi parasysh rrogat e ulëta të policisë dhe interesit të shkelësit të rregullave të komunikacionit që në vend të një dënimi të supozuar prej 600 Eurove dhe marrjes së lejës së vozitjes në kohëzgjatje prej një viti , ai i jep policit 200 apo 300 euro si kusht që t’i mos shqiptojë dënimin.
E treta , Ligji i ri për Komunikacion , ndonëse ka për qëllim parandalimin e shkeljeve të rregullave të komunikacionit fitohet përshtypja se ka për qëllim edhe mbushjen e arkës me para të shkelësve dhe një formë po shëndrrohet në një ofertë më shumë të karakterit të përfituesit material të stilit të ofertave të YUSK-ut , Comodita Home, Albi Mall, Grand Store,Viva Freshit dhe të tjerëve që ofrojnë zbritje të mëdha ,ende pa dalë malli në shitje.
Edhe me këtë Ligj te ri të Komunikacionit parashihet mundësia që , nëse e paguajnë gjobën në afatin 6 ditor atëherë do të paguan vetëm 50% e dënimit apo do të kemi lirim 50% nga dënimi. Ligji i ri për Komunikacion u drejtohet shkelësve të ligjit me :”Kemi ofertë të mirë për ju …?”.
Të dalësh me këtë ofertë për shkelësit e ligjit , ende pa filluar zbatimi i ligjit është joserioze , qesharake dhe diskrediton ligjin që në fillim.
KMDLNJ , e përkrah çdo përpjekje që kontribuon në parandalimin e pasojave të rënda në komunikacion prandaj mendon se dënimet e pranueshme që do të kishin efekt do të ishin 50% i shumës së paraparë. 50% tjetër , që do të falej nuk duhet të figurojë fare në ligj , sidomos nuk duhet të zbatohet në fazën e parë të zbatimit të ligjit .
Falja e borxhit prej 50% nuk mund t’i mbush arkat përjashtuar muajt e parë.Në këtë kontekst KMDLNJ propozon:
– ashpërsimin e politkës ndëshkimore për rastet e rënda sepse dënimet e shqiptuara me burg janë në shpërputhje të madhe me dëmet e shkaktuara.
– marrja e masave ligjore ndaj pikave të kontrolleve teknike të cilat nuk e kryejnë punën në përputhje me ligjin.
– aftësimi i plotë i kandidatëve për marrjen e lejes së vozitjes.
– krijimi i sistemit të kamerave apo një mekanizmi tjetër mbikëqyrës që e pamundëson korruptimin e policëve të trafikut.
– marrja e masave ligjore edhe ndaj shkelësve te ligjit të komunikacionit që bëjnë përpjekje t’i korruptojnë policët.
– përgjysmimi i dënimeve të shqiptuara që parashihen me Ligjin e ri per Komunikacion – konfiskimi i veturave që qarkullojnë në trafik që nuk janë të regjistruara dhe të siguruara.
– që periudha 3-6 muaj të shërbejë si pilot projekt , me ç’rast policët nuk do të shqiptonin dënime maksimale , para se t’i tërheqin vërejtje shkelësve të ligjit dhe t’u shqiptojnë dënime më të vogla . Pas fazës së pilot projektit dhe pas një analize dhe rishikimit të rezultateve do të fillohej me zbatimin e plotë të ligjit i cili edhe do të mund të rishikohej.